Zgjidhen 2 projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja për administratën publike. Korporata e Investimeve Shqiptare ka përzgjedhur 10 studio arkitekturore si finaliste për projektet e kullave që do të ngrihen në tokë shtetërore nga privatët, ndërsa janë shpallur dhe dy fituesit e parë.

Studiot finaliste

ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (USA)
COLDEFY (Francë)
EMBT Architects (Spanjë)
SNOHETTA (Norvegji)
ZAHA HADID Architects (UK)
ARCHI-TECTONICS (USA)
ARCHITECTURE STUDIO (Francë)
BAUKUH (Itali)
COOK RESEARCH (Angli)
MAD Office (SHBA)

Emrat e studiove fituese janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë një video në rrjetet e tij sociale.

“KONKURSET PËR DY PROJEKTET E PARA TË KORPORATËS SHQIPTARE TË INVESTIMEVE, ku 10 studio prestigjioze paraqesin përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësira të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike, ku shteti vendos në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e té huaj për ndërtimin e projekteve, nga ku shteti do të përfitojë si pronar i truallit njé infrastrukturë të re për instituciine publike që ende rrinë në mjedise me qera apo ende nuk e kanë selinë e tyre të shekullit të ri, si për shembull Biblioteka Kombëtare, etj,”-shkroi Rama krahas postimit të videos në Facebook.

Por cilat janë projektet fituese?

Kulla e parë do të ndërtohet në zonën e Komunës së Parisit. Ndërtimi do të bëhet në pronën e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, me truall 9400 m2. Projekti ka në plan investimin për një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 30,000 m2 dhe do të përdoret tërësisht për zyra. Ky program do të akomodojë gjithsej 22 institucione. Toka më parë është përdorur si vend parkimi për makinat shtetërore. Në zonë vihet re se ka mungesë të parkimeve dulke qenë se shumica e ndërtesave i përkasin viteve më parë dhe janë të amortizuara dhe pa parkim nënëtokësor, prandaj synohet që me këtë marrëveshje të lehtësohet dhe trafiku në zonë, pasi do të ketë shtim të parkimeve nëntokësore.

Përveç programit institucional të përshkruar në Aneks, i cili përfshin hapësira të dedikuara dhe të përbashkëta, AIC kërkon gjithashtu projektimin e 5,000 m2 shtesë në këtë lot. Kjo hapësirë shtesë do të destinohet për funksione të tilla si, zona bankare, hapësira tregtare dhe zyre, për qira. Këto hapësira me qira do të menaxhohen nga AIC për të kompensuar kostot operative të klasterit administrativ. Ndaj, programi total i projektimit për Lotin 1 arrin gjithsej në rreth 30,000 m2.

Shteti del ‘në shitje’, jep pronat publike për zhvillim te privati! Kulla 41 kate nga Komuna e Parisit tek Inxhinieria
Projekti i dytë fitues, që pritet të nisë nga zbatimi, ndodhet pranë shkollës “Harry Fultz”. Kulla do të ndërtohet në ambientet ku sot është godina ekzistuese e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës. Kjo zonë ndodhet pranë ‘’Zogut të Zi’’ dhe Bulevardit “Zogu i Parë”, dy zona po ashtu me një zhvillim ekonomik dinamik dhe me aksesueshmeri në disa institucione të rëndësishme të vendit.

Aktualisht, një pjesë e stafit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është e vendosur në këtë zonë, në një ndërtesë 6-katëshe të rinovuar rishtazi. Kjo ndërtesë përfshin një arkiv në katin përdhe dhe hapësira zyrash në katet e sipërme. Programi i ri duhet të projektohet për të plotësuar strukturën ekzistuese, duke përfshirë ndërtimin shtesë në anët dhe potencialisht mbi të për të maksimizuar hapësirën e disponueshme. Siti i propozuar ka distance 1.8 km nga qendra e Tiranës, afër me Sheshin Skënderbej dhe bulevardin kryesor, ku gjenden pjesa më e madhe e funksioneve administrative të Tiranës”.

Për projektin e parë u zgjodh fituese studio COLDEFY (Francë), ndërsa për të dytën u zgjodh studio BAUKUH.