Emmanuel Egbo nuk është më trajneri i Bylisit, me klubin ballshiot që ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun nigerian. 51-vjeçari erdhi me bujë të madhe në Ballsh, por është larguar pas vetëm 6 javësh, në të cilat ekipi ballshiot ka grumbulluar vetëm 5 pikë dhe ndodhet në vendin e parafundit në renditje.
“Ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua, por kur bëhet fjalë për Bylisin kam menduar për më të mirën e skuadrës! Më mirë të lëviz unë, duke marrë përsipër ndryshimin, por edhe duke shpresuar sa më parë te kthesa. E kam menduar gjerë e gjatë dhe ja kam parashtruar edhe presidentit si mik prej vitesh, se një ndryshim tashmë që është herët mund të sjellë përmirësimin e ekipit dhe kjo lëvizje mund të jetë në të mirën e Bylisit. Unë jam pjesë e këtij klubi, jam mik me presidentin dhe dua kthesën e Bylisit, që mua më ka dhënë shumë si lojtar por edhe si trajner vite më parë.
Nuk e heq presidenti trajnerin, sidomos duke ditur edhe marrëdhëniet që unë kam me Kapllanajn prej vitesh, sepse janë lojtarët ata që luajnë, prej nga varet rezultati, por edhe trajneri. Por edhe pas kësaj, unë do të vazhdoj që të jem afër Bylisit, si tifozi më fanatik, sepse Ballshi është, ka qenë dhe do të mbetet shtëpia ime! E bëra këtë hap sepse dua që Bylisi të ndryshoj dhe në fund të sezonit ta shoh në Europë, sepse skuadrat e tjera nuk kanë asgjë më shumë. Ky është një vendim personal i imi, falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuam, Ballshi dhe Bylisi janë në zemrën time! Mirupafshim, Forca Bylis”, tha Emanuel Egbo.
Klubi ballshiot ka njoftuar menjëherë dhe zëvendësuesin e nigerianit, duke ulur në stol trajnerin Nevil Dede, i cili do të nisë menjëherë nga puna në prag të sfidës së radhës që Bylisi ka në kampionat kundër AF Elbasanit.