Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet që më 9 tetor të zhvillojë një bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ky takim vjen teksa forcat izraelite intensifikuan ofensivën e tyre tokësore kundër militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit.
Raportet nga Reuters dhe Axios, të cilat citojnë burime që folën nën kushte anonimiteti, thanë se bisedimet do të përfshijnë edhe planet e mundshme për ta goditur Iranin si përgjigje ndaj sulmit me raketa, kryesisht joefektiv, të Teheranit ndaj Izraelit javën e kaluar, në shenjë hakmarrjeje për eliminimin e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga Izraeli.
Këto bisedime do të jenë hera e parë që Biden dhe Netanyahu komunikojnë drejtpërdrejt që nga gushti.
Hezbollah, një grup dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit, është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë, e cila ka vende në parlamentin libanez.
Më 9 tetor, Hezbollah deklaroi se luftëtarët e tij kishin përdorur artileri dhe raketa kundër trupave izraelite pranë fshatit kufitar libanez Labbouneh.
Në një deklaratë tjetër, grupi tha se kishte përfshirë në luftim forcat izraelite, ndërsa ato “u përpoqën të depërtonin në qytetin kufitar të Blidës”, në juglindje të Libanit.
Ushtria izraelite tha herët më 9 tetor se kishte interceptuar dy predha të lëshuara nga Libani, ndërsa alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në dhe rreth qytetit bregdetar Caesarea, në jug të Haifës.
Luftimet e fundit ndodhin ndërsa rriten frikërat për një konflikt më të madh në rajon, pasi Izraeli gjithashtu pretendoi se pasardhësi i Nasrallah ka të ngjarë të jetë “eliminuar”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, më 8 tetor tha se Hezbollah ishte një “organizatë pa një kryetar”.
“Nasrallah u eliminua. Pasuesi i tij ndoshta është eliminuar gjithashtu”, tha Gallant para oficerëve në qendrën e komandës veriore të ushtrisë, pa dhënë më shumë detaje.
“Hezbollahu nuk ka askënd që të marrë vendime, askënd që të veprojë”, shtoi ai.
Netanyahu më pas përsëriti ato komente, duke thënë: “Ne kemi ulur aftësitë e Hezbollahut”.
“Ne kemi eliminuar mijëra terroristë, përfshirë vetë Nasrallahun dhe pasardhësin e Nasrallahut, dhe pasardhësin e pasardhësit”, tha Netanyahu.
Hashem Safieddine, një zyrtar i lartë i Hezbollahut dhe kushëriri i Nasrallahut, pritej gjerësisht të emërohej në postin kryesor të grupit, por vendndodhja dhe gjendja e tij mbeten të panjohura që nga një sulm izraelit më 2 tetor ndaj një takimi të dyshuar të udhëheqjes së Hezbollahut.
Hezbollahu nuk ka komentuar për fatin e Safieddine, megjithëse anëtarë të paidentifikuar kanë thënë për media të ndryshme se grupi ka humbur kontaktet me të që nga sulmi.
Safieddine është shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
Më 8 tetor, ushtria izraelite tha se kishte vrarë një tjetër komandant të lartë të Hezbollahut, Suhail Husseinin, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e logjistikës, buxhetit dhe menaxhimit të Hezbollahut.
Ndërkohë, në një intervistë për programin “60 Minutes” të CBS TV, nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, tha se e konsideronte Iranin si kundërshtarin më të madh të Shteteve të Bashkuara.
“Irani ka gjak amerikan në duart e tyre”, tha ajo. “Dhe ajo që pamë në lidhje me këtë sulm ndaj Izraelit, 200 raketa balistike, çfarë duhet të bëjmë për të siguruar që Irani kurrë të mos arrijë aftësinë për të qenë një fuqi bërthamore — kjo është një nga prioritetet e mia më të larta”.
Harris — kandidatja presidenciale demokrate që do të përballet me republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit — refuzoi të spekulojë nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime ushtarake nëse zbulohen prova që Irani po ndërton një armë bërthamore.
Teherani ka mohuar ndërtimin e armëve të tilla dhe thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.
Komentet u bënë ndërsa udhëheqësia e Hezbollahut, e lodhur dhe e gjakosur, sugjeroi se mund të jetë e gatshme të negociojë një armëpushim me Izraelin.
Zëvendësudhëheqësi Naim Qassem, në një fjalim të transmetuar në televizion, për herë të parë nuk sugjeroi që përfundimi i luftës në Gazë ishte një parakusht për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin në Liban.
Qassem tha se grupi mbështeste një përpjekje nga kryetari i parlamentit libanez, Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut, për të arritur një marrëveshje për t’i ndaluar luftimet.
Vonë më 8 tetor, qeveria siriane tha se shtatë civilë u vranë në një sulm ajror izraelit në Damask. Një monitorues lufte tha se sulmi kishte shënjestruar një ndërtesë të përdorur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahu.
Izraeli nuk ka komentuar këto zhvillime dhe raportet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /rel