Një mësues i ka hedhur benzinë në trup dhe në makinë një prindi që ishte ankuar për sjelljen e tij ndaj fëmijës. Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare të fshatit Jagodinë në Elbasan, ku mësuesi i identifikuar si E.Kushi, i cili i cënoi jetën prindit të një prej nxënësve të tij.
Prindi, të cilit iu cënua jeta, kishte shkuar në shkollë për të biseduar me mësuesin e Anglishtes. Ky i fundit akuzohej se bullizonte fëmijët. Po ashtu, për mediat, janë rrëfyer edhe prindër të tjerë që kishin marrë të njëjtat ankesa nga të vegjlit e tyre.
“Vjen fëmija në shtëpi dhe thoshte kur kam anglisht nuk dua të shkoj në shkollë. Profesori na bërtet dhe na jep shumë mësime. Shkoj tek shkolla dhe ishte ora e pushimit të gjatë, i them si po ecin fëmijët, më tha janë shumë dobët të gjithë. I thashë unë ‘pse fëmijët kur kanë anglisht nuk duan që të vijnë në shkollë?, dhe ai mu përgjigj “më njeh mirë ti kush jam unë? E di çfarë të bëj? Dal nga klasa më ndjek nga mbrapa, më vjen profesori i fiskulturës dhe na ndan. Kur arrin që t’i hedhë benzinë një prindi, imagjino çfarë mund t’i bëjë fëmijës që rri një orë me të në klasë.
Janë shumë fëmijë të vegjël. Pastaj i thoshte mos tregoni se çfarë po bëj unë. I mbushte 10 faqe me detyra.
Hyn fëmija në shkollë dhe qante. Nuk donte që të vinte në shkollë,”-thanë prindërit.
Pas publikimit të skandalit, Zyra Vendore Elbasan mori masën e menjëhershme të pezullimit nga puna të mësuesit 34-vjeçar, i cili nuk nguroi të kërcënonte me jetë prindërit edhe në prani të Policisë së Shtetit me pretendimin se i “cënoi reputacionin”. Tani, ai po hetohet në gjendje të lirë për akuzat “Kanosje” dhe “Vetëgjyqësi”.