Mbrojtësi i Shqipërisë, Arlind Ajeti ishte pjesë e konferencës për media ku deklaroi se ka besim që do të fitojnë ndeshjes kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë. “Është akoma herët për të thënë ndonjë gjë për ekipin se nuk kanë ardhur të gjithë, i dimë cilësitë tona dhe mund tja dalim ndaj çdokujt, por nuk do të jetë e lehtë. Me Çekinë kemi luajtur dy herë kundër, Gjeorgjia ka një futboll të shpejtë dhe lojtarë të mirë, por do ta shohim se çfarë do të ndodhë, por unë kam besim.
Nuk kemi bërë ende analizën, por me stafin dhe trajnerët do përgatitemi sa më mirë, nuk do të jetë e lehtë me Çekinë, por kam besim. Më duket shumë mirë Superliga turke, por nuk krahasohet me Europianin apo ndeshjet e Kombëtares. Unë besoj që shumë herë skam qenë pjesë e Kombëtares se kam pasur lëndime, por sa herë kam ardhur kam qenë për të luajtur me shpirt dhe zemër, gjithmonë mund të bësh më mirë. Çdo ndeshje do të jetë vendimtare, do të shohim të parë të mundohemi për më të mirën dhe më pas të vazhdojmë për Gjeorgjinë. Gjimshiti do të jetë mungesë e madhe për ne si lojtar dhe person se ka fjalë të mira për të rinjtë, tek formacioni e di Silvinjo.
E rëndësishme është që në fund të fitojë Shqipëria. Ka një impakt të madh në çdo lojtar se është një eksperiencë që e ëndërrojnë, kemi pasur fatin të jemi në Europian, ndeshjet e Ligës së Kombeve janë më ndryshe, eksperienca e Europianit do të na ndihmojë për këto sfida. Cilësitë i kemi për të dalë si fitues, duhet të bëjmë maksimumin dhe të besojmë se janë dy ndeshje shumë të vështira. Nuk do të ketë ngacmime se jemi shumë mes njëri-tjetrit, është konkurrencë e fortë por këtu e vendos trajneri”, përfundoi ai.