Nuk na mjaftuan shekuj, dëshmi, letërsi, legjenda, gojëdhëna për të na treguar si në pasqyrën e Shtrigës tek Borëbardha se jemi ne dhe vetëm ne, shqiptarët, armiqtë më të përbetuar të njëri-tjetrit. Gazmend Bardhi, një politikan i ri dhe në shumë momente ndryshe nga politikanë vetëm anatemues dhe pa logjikë konstruktive, për fat të keq e përsëriti dhe e ripërsëriti edhe gjatë tavolinës së rrumbullakët në Tiranë për bisedat e Stabilizim-Asocimit, në prani të eurodeputetëve: “Nuk dialogojmë me deputetët e mazhorancës! Mbajeni për vete ju këtë mazhorancë!” Ishte thelbi.

Në një botë ku diplomacia botërore, europiane dhe ajo e Shteteve të Bashkuara synojnë nxitjen e dialogut mes Izraelit dhe Palestinës, apo Rusisë e Ukrainës, kur bota e civilizuar nxit dialogun dhe bashkëjetesën mes racave të ndryshme, gjinive të ndryshme, kombësive të ndryshme, imagjinoni se si mund të duket për ta një debat mes Flamur Nokës dhe Elisa Spiropalit dhe sidomos, kur ky debat rrezikon që të bëhet pengesë në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane.

Mazhoranca dhe opozita kishin një detyrë të qartë këtë herë: Të miratonin (ose të abstenonin) Rezolutën e përbashkët nga kjo tavolinë e rrumbullakët, por jo ta bojkotonin. Kjo detyrë e rëndësishme dhe e thjeshtë u bojkotua nga përfaqësuesit e opozitës në tavolinë. Burokratët e Bashkimit Europian janë fare të ftohtë: Ne ju japim detyra për të bërë dhe ju duhet t’i zbatoni me përpikmëri ato. E zeza mbi të bardhë nuk ndryshon mendimin e askujt nga të bërtiturat apo molotovi i opozitës.

Kur ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, u pyet nga gazetarët se a do të kontribuonte ai për këtë dialog, u shpreh se e bënte me këmbëngulje, por se “edhe pse i pëlqen muzika, ai nuk mund të jetë dirigjenti i kësaj orkestre”. Nëse duhet të futemi në Bashkimin Europian, na takon neve të tregojmë se veç reformave, kemi evoluuar edhe thellësisht dhe kemi kapërcyer mentalitete të ngurta, rozafërrëzuese të së shkuarës sonë problematike.

Frika më e madhe e botës së qytetëruar, e diplomacisë së përparuar europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mungesa e dialogut! Eksperiencat më të dhimbshme kanë treguar se aty ku vdes dialogu, zë vend vetëm lufta, pas saj vdekja dhe pas vdekjes hiçi! Asgjë!

Nëse ne shqiptarët, për cilatdo arsye, të vlefshme apo të pavlefshme, ngulim këmbë se mes nesh nuk kemi asgjë për të biseduar, kjo do të ishte pasoja e drjetpërdrejtë vetëshkatërruese. Gjë që, nga të gjitha gjasat, shumica e shqiptarëve, as kanë ndërmend ta ndërmarrin apo të ndjekin në këtë rrugë ndokënd.