Një humbje që më shumë se tri pikë, ishte e dhimbshme për Real Madrid, që kundër Lille nuk prodhoi pothuajse asgjë. David me penalltinë e fituar nga Zhegrova vendosi ndeshjen (1-0), ndërsa Carlo Ancelotti foli pas ndeshjes së Champions League.
“Skuadra rivale luajti më mirë dhe meritoi fitoren. Ishte e vështirë për ne të futeshim në lojë për nga intensiteti dhe duelet. Mund të kishim barazuar, por nuk do të ishte e merituar. Ne duhet të mësojmë nga ajo që ka ndodhur”, tha italiani.
Për sa i përket qëndrimit në pjesën e parë, Ancelotti pranon se nuk ishte i duhuri.
“Çdo gjë shkoi shumë keq, ishte e vështirë për ta rikuperuar topin. Ishte e vështirë për ne të gjeneronim mundësi, të krijonim raste. Zotërimi i topit ishte i ngadaltë dhe me pak ide”, vijoi ai.
Ajo që Ancelottit nuk i ka pëlqyer është qëndrimi i skuadrës.
“Trishtimi vjen nga qëndrimi i ekipit. Ndeshjet në futboll mund edhe të humben, por nuk kemi lënë një shije të mirë ndaj Lille. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë. Sidoqoftë, i kemi burimet për të mësuar, duhet t’i rregullojmë gjërat shpejt, sepse kemi një tjetër sfidë të rëndësishme të shtunën. Të jem i sinqertë, kritikat për ndeshjen janë të drejta, korrekte dhe duhet t’i pranojmë”, tha Ancelotti.