Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat ka komentuar nisjen e zbatimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.
Për Metën, shqiptarët duhet të ngrihen në protestë që Shqipëria mos të kthehet në një vend ”konglomerat emigrantësh”.
“E gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protestë në mënyrë që ky të mos jetë më një vend konglomerat emigrantësh, të huajsh dhe ku mos flitet më as gjuha Shqipe. Të gjithë duhet të ngrihen në këmbë”, tha Meta.
Një koment e ka edhe për dënimin e Salianjit, për të cilin thotë se nuk u surprizua aspak nga vendimi i ‘togave të zeza të Ramës’ për të mos pezulluar vendimin e dënimit me 1 vit burg.
“Asnjë surprizë nga Togat e Zeza të Edi Ramës në sistemin e Ramaformës, pra të drejtësisë. Unë dje, me kërkesën time vizitova deputetin zemërluan të PD-së dhe të Opozitës, z. Salianji, i dënuar politik në burgun e Fierit dhe njëherë tjetër shpreh bindjen time se kjo burgosje politike tregon tmerrin e Narkoregjimit nga fuqia denoncuese e Opozitës së vërtetë dhe sidomos nga faktimi që ju është bërë lidhjeve në nivelet më të larta të Narkoqeverisë me trafikun Ndërkombëtar të drogës dhe është edhe një tmerr edhe për zgjedhjet që vijnë, sepse kujtojnë se në këtë mënyrë do të frikësojnë deputetët, opozitarët, gazetarët e pa blerë në denoncimet e ardhshme të cilat do të intensifikohen”, vijoi Meta.