Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me arrestimin e Ilir Metës. Në përgjigjen për mediat, zyra e BE në Tiranë ka thënë se nuk komenton çështjet që janë në hetim.
Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua ditën e djeshme me urdhër të SPAK në zonën e “Casa Italia” në Tiranë. Në njoftimin e SPAK thuhet se objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
SPAK thotë se janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale. Në njoftimin e SPAK thuhet se është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. SPAK thotë se kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.