Ish-kryeministri Sali Berisha këtë herë i është drejtuar me një kërkesë të pazakontë Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
Berisha kërkon nga autoritetet më të larta amerikane që të hetojnë zyrtarët amerikanë që u përfshinë në sistemin e reformës në drejtësi, që i solli Shqipërisë organe të reja si BKH dhe SPAK, të cilët e kanë të pandehur atë për korrupsion dhe pastrim parash.
Thirrja e pazakontë vjen në një kohë kur prej disa vitesh tashmë, Berisha është “non-grata” në SHBA për korrupsion masiv dhe pengim të drejtësisë.
Berisha dhe mbështetësit e tij shpresojnë se ardhja e Donald Trump në pushtet në SHBA mund të sjellë ndryshime edhe në politikat amerikane në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Atëherë, unë u bëj thirrje, i bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të nisë hetim për dhjetëra milionë dollarë të shpenzuara nga korruptokratët amerikanë.
Për të krijuar në Shqipëri sistemin monstër të drejtësisë.
I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë, të mos mbështesë një organizatë kriminale që quhet Skapi i partisë.
I bëj thirrje Komisionit Europian të kërkojë me urgjencë Komisionin e Venecias, të mos mbështesë një instrument të diktaturës. Të diktaturës së bandave.