Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i përcolli Izraelit një mesazhin se ai është kundër goditjes së fushave iraniane të naftës, teksa pohoi se mendon që shteti hebre nuk ka dalë ende në një përfundim sesi t’i përgjigjet sulmit me raketa të Republikës Islamike.
“Them se izraelitët ende nuk e kanë vendosur se çfarë do të bëjnë në aspektin e një sulmi. Kjo është në diskutim. Por nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera përveç goditjes së fushave naftëmbajtëse”, tha Biden.
Komenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë u pa si një pranim i faktit që një sulm izraelit ndaj infrastrukturës kryesore të naftës iraniane do të konsiderohej një përshkallëzim i rëndësishëm që ka të ngjarë të shkaktonte një tërmet të vërtetë në tregjet e energjisë. Biden, me sa duket e kuptoi, thotë Business Standard, se sa të ndjeshme u bënë tregjet një ditë më parë, kur çmimi i naftës kapërceu me 5 për qind nga komentet në të cilat ai thoshte se SHBA po “diskutonte” sulmet e mundshme izraelite në objektet energjetike.
Eksportet e naftës janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për Iranin. Megjithëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës rivendosën sanksionet ndaj industrisë iraniane të naftës, Irani ende arrin të eksportojë naftë, kryesisht në Kinë. Në vitin 2023, eksportet e tij të naftës, siç njoftoi ministri Javad Oëji në mars, mbërritën në “më shumë se 35 miliardë dollarë”.