Ashtu siç ishte paralajmëruar do të jenë të paktën katër pika kyçe në kryeqytet që do të bllokohen nga mbështetësit e opozitës gjatë protestës kombëtare që do të nis nga ora 18:00 para Kryeministrisë.

Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi zbuloi se në planin e masave të Policisë së Shtetit përveç bllokimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, parashikohet kufizimi i lëvizjes së mjeteve te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, ish-Stacioni i Trenit dhe rethrrotullimi i Zogut të Zi.

“Sa i përket rrugëve, bllokime do të ketë në të gjitha degëzimet që të çojnë te Kryeministria, përfshirë rrugën e Elbasanit dhe zonën e ish-Bllokut. Do të jetë i bllokuar sheshi “Nënë Tereza” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Por ndryshe nga herët e tjera policia ka paraqitur edhe disa kufizime rrugësh për kryqëzimin e zonës së ish-21 Dhjetorit, rethrrotullimi te Zogu i Zi dhe kryqëzimi te Stacioni i Trenit. Kjo për shkak se nuk ka një agjendë të protestuesve. Janë angazhuar mbi 1500 forca policie, që do të dislokohen fillimisht të Kryeministria, më pas te Parlamenti, por policë do të ketë edhe te bashkia e Tiranës duke marrë parasysh faktin që në protestën e fundit u marshua nga Kryeministria në drejtim të bashkisë së kryeqytetit.”

Kasapi raportoi se Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Ilir Proda ka hartuar një plan masash, që përfshin grupe të lëvizshme të përbërë nga efektivë të FNSH-së që do të ndjekin turmat gjatë zhvendosjes së tyre te Parlamenti dhe bashkia e kryeqytetit.

“Prej pasdites së djeshme policia e shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar deri në një urdhër të dytë. Çka nënkupton që vetë Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ka thërritur në zyrë të gjithë drejtuesit e qarqeve, por edhe ata të komisariateve të Tiranës për të mësuar më shumë dhe për të hartuar planin e masave. Është kërkuar informacion për numrin e personave që do të vijnë drejt kryeqytetit por edhe ata elementë problematikë apo kontigjent kriminal që do të ndalohen të vijnë në Tiranë. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm ka hartuar një plan masash për grupe të lëvizshme të policisë kjo për shkak të zhvendosjeve të protestuesve që priten nga Kryeministria te Parlamenti dhe Bashkia e Tiranës. Këto grupe të lëvizshme kryesisht nga efektivët e FNSH-së do të angazhohen për të ndjekur turmat e protestuesve”, tha Kasapi .