Mjete taktike të blinduara për efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (BKL), i janë shtuar prej pak ditësh flotës së Forcës Tokësore të ushtrisë shqiptare, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj operacionale.
Falë asistencës së SHBA-ve , tashmë Forca Tokësore hedh një hap tjetër të madh drejt standardeve që Aleanca e Atlantikut të Veriut kërkon për anëtarët e saj, pas rritjes së buxhetit për shpenzimet ushtarake në 2% të PBB-së.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur se falë asistencës së aleatit strategjik, SHBA-së, tashmë Forca Tokësore hedh një hap tjetër drejt modernizimit, një proces që do të vijojë edhe me rijetëzimin e industrisë ushtarake duke rikthyer prodhimin e armëve në uzinën e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit.
“Ky investim shënon një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit dhe rritjes së gatishmërisë së strukturave ushtarake, në përputhje me prioritetin tonë për forcimin e infrastrukturës mbrojtëse. Pasurimi i flotës së mjeteve në Forcën Tokësore është gjithashtu një element për rritjen e aftësive tona mbrojtëse dhe përmbushjen e standarteve ndërkombëtare”, tha Vengu.