Cameron Diaz ka ofruar një pasqyrim mbi vendimin e saj për të marrë një pushim një-dekadësh nga aktrimi, pas rolit të saj të fundit në filmin ‘Annie’, në vitin 2014.

“Ndihej si gjëja e duhur për mua të riparoja jetën time. Dhe thjesht nuk më interesonte asgjë tjetër”, u shpreh Diaz.

“Mendimi i askujt, suksesi i askujt, oferta e askujt, asgjë (e ofruar) nga askush nuk mund të ndryshonte mendimin tim për vendimin për t’u kujdesur për veten dhe për të ndërtuar jetën që vërtet doja të kisha. E gjitha erdhi prej pyetjes: ‘Çfarë të zgjon pasionin?’ Për mua, ishte të ndërtoja familjen time.”

Pas suksesit të madh me Jim Carrey në filmin ‘The Mask’ në vitin 1994, Cameron Diaz u shqua si një ndër aktoret më të mira në Hollywood.

Në vitin 2015, ajo u martua me artistin Benji Madden, duke u tërhequr pjesërisht prej karrierës së saj si aktore.

Në fund të vitit 2019, çifti mirëpriti fëmijën e tyre të parë së bashku përmes një nëne surrogate dhe në mars të këtij viti, ata njoftuan ardhjen e fëmijës së tyre dytë në jetë.

“Nuk do të isha aty ku jam tani si nënë nëse do të isha në një set filmi që merr 14-16 orë nga dita ime larg fëmijës”, tha Diaz në një intervistë në vitin 2021.

Diaz, 52 vjeçare, e cila në vitin 2020 filloi një kompani verërash organike, ‘Avaline’, për herë të parë njoftoi rikthimin e saj në Hollywood me një postim në Instagram në qershor 2022, duke zbuluar rolin e saj në komedinë e Netflix, ‘Back in Action’, e cila do të transmetohet në janar të vitit 2025.