Ditën e djeshme, 21 tetor 2024, me urdhër të SPAK u vu në pranga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Masa sigurie u dhanë edhe për tre persona të tjerë, Monika Kryemadhi (detyrim paraqitje), Pirro Xhixho (arrest shtëpie) dhe Ema Çoku (detyrim paraqitje).
Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova tha se arrestimi i Metës ishte i vonuar, pasi shqiptarët sipas tij, prisnin që SPAK të arrestonte filimisht “kokat e krimit, Metën dhe Berishën”.
Beqiri: Ishte i pritshëm dhe i vonuar. Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë shtetëror…në mendjen e shqiptarëve shkonte mendimi se ata që e kanë rradhën të parët dhe duhet të goditeshin ishin dy kokat e këtij krimi Sali Berisha dhe Ilir Meta. SPAK e filloi anash dhe anash duke nisur me kryetarët e bashkive. Flas për perceptimin e popullit. Edhe për ne juristët pritshmëria nuk ishte shumë e mirë.
Ndaj Ilir Metës rëndojnë tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Beqiri tha se këto janë vepra penale dënohen me deri në 15 vite burg.
Beqiri: Këto janë vepra penale të rënda, pastrimi i produkteve që rrjedhn nga një krim e ka dënimin deri në 15 vjet burg, korrupsioni pasvi deri në 12 vjet burg. Mosdeklarimi i parave e ka dënimin më të butë. Problemi është që SPAK nuk do ngelet vetëm me këto. Këto janë vetëm fillimi dhe i janë bashkangjitur atij procedimi që ka nsiur në 2019 dhe ka të bëjë me aferën e ÇEZ-DIA.
Beqiri ka folur edhe për mënyrën se si u arrestua Meta. Arrestimi i tij u bë në afërsi të kthesës të Kamzës nga forcat Operacionale, të cilat siç shihen në një video e tërheqin me forcë nga makina, pasi Meta bëri rezistencë. Beqiri tha se Policia e Shtetit në momentin që merr një urdhër për të ekzekutuar duhet ta bëjë kudo që të jetë personi i cili do të arrestohet.
Beqiri: Shumë avokatë nuk merren me thelbin por me mënyrën si u arrestua. BKH-ja nuk bën ekzekutim vendimi. As SPAK nuk ka punë, çon kërkesën në Gjykatë për arrest me burg pa afat. Gjykata e miratoi vendimin dhe nxori vendimin për arrestim. Sapo miratohet e çon për ekzekutim te prokurori, prokurori e çon për ekzekutim dhe ekzekutimi bëhet nga Policia e Shtetit. Pra të gjithë ata persona që ishin atje janë të Policisë së Shtetit. Kudo të bëhej ai arrestim do të ishte i përfolur.
Aokati tha në studion e Vizion Plus se Meta ka kohë që e pret arrestimin. Sipas tij, ai nuk duhet të kishte bërë rezistencë ditën e djeshme dhe në momentin që u njoh me urdhrin e arrestit duhet të kishte dalë nga makina dhe duhet të kishte shkuar në Polici.
Beqiri: Meta ka kohë që e pret. Qëkur thoshte “Dum Dumani” dhe hidhej shkëmb më shkëmb e breg më breg e ka ditur. Para ligjit janë të barabartë të gjithë. Nëse vjen urdhri për ekzekutim, ai do të ekzekutohet kudo që të jetë personi. Ai nuk e tregoi veten një burrë shteti, një President. Një President Republike si mund të zvarritet pas sediljes së makinës dhe nuk del? Ai ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë dhe do merret i pandehur edhe për këtë. Nëse të vjen Policia e Shtetit me një vendim për të ezkekutuar të thotë kaq “Kam një vendim për të ekzekutuar, jeni i arrestuar”. Çdo qyetar duhet të zbresë nga makina dhe të thotë “patjetër, çfarë duhet të bëj”. Jo më një burrë shteti.
Por çfarë do të ndodhë me pasurinë e çiftit Meta-Kryemadhi? Avokati tha se hetimet do të vijojnë dhe do të ketë sekuestrime.
Beqiri: Nëse të jep votën dikush nuk të jep votën që ti ta vjedhësh. Shqiptarët presin që jo vetëm të dënohen këta..hetimi më i madh është hetim pasuror. Do ketë sekuestrime të pasurive të tij kudo që i ka këtu në Shqipëri. Do të sekuestrohen edhe llogaritë bankare që janë gjetur jashtë vendit dhe ato do t’i vijnë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me Kryemadhin janë bashkëpunëtorë. Ato vepra penale dënohen me burg.
Beqiri tha se Meta nuk mundet që të drejtojë më partinë nga burgu duke nënkuptuar dhe fundin e karrierës së tij politike.
Beqiri: Ajo parti nuk ka qenë kurrë parti. Nuk ka qenë e organizuar. E vetmja gjë që i bashkonte ishte “të blejmë vota se me vota vihet në pushtet” dhe kur të vijmë në pushtet “bëhet para e madhe”. Nuk e drejton dot ai partinë që nga burgu. Fati i tij është i zi dhe gjithë jetën do ta kalojë me hetime dhe nuk i shpëton dot burgimit. Nuk ka më kohë që të merret me politikë.