Historia e Tiranës në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë është e mbushur me ngjarje që ndikuan thellësisht në zhvillimin e saj. Luftërat, pushtimet dhe fatkeqësitë natyrore e shoqërore e penguan këtë qytet të vogël që të merrte formën e një qendre moderne. Pushtimi i Shqipërisë nga ushtria austro-hungareze në fillim u duk se do të sillte një lehtësim të vuajtjeve, por gripi spanjoll (1918) solli një valë të re fatkeqësie, duke marrë jetën e rreth 4,000 banorëve të Tiranës.
Si një simbol i kësaj periudhe të vështirë ishte Streha Vorfnore, themeluar në vitin 1917, që ofronte kujdes për fëmijët e mbetur jetimë nga gripi spanjoll dhe zia e bukës. Deri në vitin 1920, Tirana vazhdoi të mbetej një qytet i vogël, pa ndryshime të mëdha.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi kur ajo u shpall kryeqytet provizor i Shqipërisë pas Kongresit të Lushnjes. Qeveria kombëtare e udhëhequr nga Ahmet Zogu, atëherë ministër i Punëve të Brendshme, vendosi të zhvendoset në Tiranë, duke sjellë me vete një fillim të ri për qytetin.
Transformimet që filluan pas kësaj përiudhe ishin të mëdha dhe shpesh të dhimbshme. Për t’u përshtatur me statusin e ri të kryeqytetit, shumë ndërtesa u rrënuan dhe u zëvendësuan me rrugë e projekte të reja. Një nga ndërhyrjet e para ishte heqja e varrezave pranë xhamive, të cilat pengonin zhvillimin urban.
Në vitin 1922, rruga e Durrësit u ndërtua, duke hapur hapësira të reja për ndërtime dhe tregti. Po në vitin 1922 u ndërtua institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë” ndërsa po atë vit Këshilli Kombëtar vendosur që institucioni kryesor që do të kujdesej për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e qytetit të emërtohej për herë të parë Bashki dhe jo më Përlimtari apo Katundari sikurse quheshin asokohe institucionet e pushtetit vendor.
Në vitin 1923, inxhinieri Eshref Frashëri përpiloi planin rregullues të qytetit, duke e udhëhequr zhvillimin urban në një drejtim më të studiuar. Gjatë këtij viti u ndërtua edhe lulishtja popullore me sipërfaqe 2700 metra katrorë ndërsa u zgjeruan edhe disa rrugë të reja.
Por sfida e vërtetë, ishte akomodimi i të ardhurve të rinj, në një qytet që po përballej me një dyndje demografike si rrjedhojë e përqendrimit të institucioneve shtetërore; një problem që më herët e kishin kaluar dhe Vlora e Durrësi.
Qiratë në Tiranë, më të larta se në Paris e Londër
Vendosja e funksionarëve të shtetit në kryeqytetin e ri kishte sjellë lëvizje të forta demografike, së cilës nuk i ishte përgjigjur sektori i ndërtimit por vetëm ai i qirave që ishte rritur ndjeshëm. Vetë ministrat e deputetët e Shqipërisë, jetonin në hotelet e kryeqytetit, që kishin marrë rolin e godinave të munguara shtetërore.
Si rezultat i zhvendosjes së administratës shtetërore dhe rritjes së nevojave për tregti dhe shërbime, Tirana filloi të tërheqë një numër të madh banorësh nga pjesë të tjera të Shqipërisë. Në vitin 1922, numri i banorëve të Tiranës kishte arritur në 34 mijë banorë.
Kjo rritje e menjëhershme e popullsisë solli nevojën për infrastrukturë të re dhe plane rregullimi urban por solli gjithashtu, edhe një rritje të fortë të qirave të banimit.
Në seancën e 19 prillit 1923, deputetët debatojnë një projektligj për qiratë dhe taksat e banesave në Tiranë, ku parashikohej vendosja e një çmimi reference për qiranë e banesave të vjetra me qerpiç dhe të atyre me tulla ose gurë që ishin ndërtuar më vonë. Në çmimet e referencës, qiraja e shtëpive të reja lllogaritrej 20 % më e lartë sesa e atyre me qerpiç. Kjo nënkuptonte se sa më i lartë çmimi i referencës, aq edhe me i lartë taksimi.
Ali Këlcyra, Deputet: Ministrija na kish dërguar një projekt me të cilin na thoshte se ligja që ka bërë Parlamenti, do aplikohet vetëm për ato shtëpi që janë me çerpiçë e sa për ato të tjerat do të paguhet një qira 20% më tepër se ç’e parashikon ajo ligjë.
Komisioni i drejtësisë e kuptoj se këtu ka një padrejtësi, pse ligja që ka bërë Parlamenti, është bërë ma at kuptim që qiraja caktueme të jetë për shtëpija me gurë e me tulla, dhe vendosi që për shtëpijat e bëra me ballë e çerpiçë të merret qiraja 20% më pak.
Çuditem përse Qeverija favorizon pronarët e shtëpijave të Tiranës ne të na rrëpin se qiranat që paguhen këtu në Tiranë, nuk paguhen as në Paris e në Londër.
Ahmet Resuli: Besoj se tue caktue çmimin e qiravet të shtëpijavet do të shkaktojmë qi pas sodit të mos goditen ma shtëpija. Ka nji mot mot qi nuk janë goditë shtëpija e kam frikë se edhe me këtë ligjë do të ndalojmë goditjen e tyne. Prandej jam i mendjes qi kjo ligjë mos të përfshijnë shtëpijat qi do të goditen pas sodit.
Qazim Koculi: Qëllimi i Qeverisë ka qenë qi të goditen shtëpija të mira dhe për këtë arësye ka cakue nji diferencë. Me qenë se këtë diferencë edhe Komisioni i Drejtësis e ban, qëllimi atëherë u mbarue. Prandej jam i mendjes qi të pranohet ligja ashtu sikur e paraqet Komisioni.
Një nga diskutimet më të mëdha që lind në këtë periudhë është zhvillimi i kryeqytetit të ri, që edhe pse kishin kaluar 5 vite, nuk po njihte zhvillimin e kërkuar.
E në këtë kontekst, ndërmerret dhe iniciativa e parë për zhvillimin e urbanistik të kryeqytetit të ri, të rikonfirmuar pas 5 vitesh, si Kryeqytet i përhershëm i Shqipërisë.
Bashkia e Tiranës propozon që për zhvillimin e kryeqytetit, qeveria t’i akordonte asaj një ndihmë financiare në formën e kredisë, me një vlerë prej 1 milionë franga ari.
Tiranë 12/11/1925
Bashkia e Tiranës drejtuar nënprefekturës
Qyteti i jonë pat fatin që të caktohet kryeqytet i Shqipnisë. Asht e ditun se nji qytet për t’u quejtun kryeqytet dhe për posë pëlqimin e vizituesavet të huej, duhet të ketë gjithë mjetet e duhuna në pikpamjen hygjenike për të sigurue shëndetësin si dhe asht e domosdoshme me fillue lulzimin e saj për të u ba nji shembëll përparimi, qytetnimi i qyterarëve etj.
Për tja mbërri këtij qëllimi, kjo bashki nuk kursehet aspak por realizmi i këtij qëllimi më tepër ka nevojë për të holla, për të cilat kjo bashki asht në ngushticë.
Pra për t’i ba ballë shpenzimeve qi mund të shpenzohen për përparimin e këtij qyteti parashohim i shumë prej 1 milionë franga ari.
Me të vërtetë përparimi e lulzimi i nji qyteti i përket bashkies, dmth popullit por populli i këtij qyteti nuk asht në gjendje që t’i baj ballë nji shume të këtillë. Historitë e botës na mësojnë se shumë qeverija në buxhetin e saj kanë caktue nji kreditë për kryeqytet prandaj dhe kjo kryesi tu qenë sigurue se ka me e realizue principi i saj, lutemi të ndërmjetësohet ku duhet që të na ipet shuma në fjalë. ideja për të cilën ushqejmë mbasi asht publikë e nuk asht vetëm interesi i Tiranës por besojmë se ka me gjet pëlqim.
Komisar i Q.P Bashkisë së Kryeqytetit
Fuad Toptani.
Pavarësisht se kërkesa ishte për 1 milion franga, qeveria e kohës vendos t’i akordojë një shumë prej 400 mijë franga ari bashkisë së Tiranës, të garantuara nga bankënotat që do të emetoheshin nga Banka Kombëtare e Shqipnisë; ligjërisht e sapokrijuar por ende jo aktive. Kjo shumë do të përdorej vetëm për vepra publike, nën monitorimin e qeverisë qendrore. Bashkia e Tiranës, për pagimin e kësaj huaje 16 vjeçare me interes 4 %, do të vendoste si garanci pasuritë e paluajtshme të saj.
Diskutimet e zhvilluara në seancën e 15 qershorit 1925 për miratimin e kësaj kredie për Bashkinë e Tiranës, hedhin më shumë dritë rreth problematikave të para me të cilat u përball kryeqyteti i Shqipërisë.
Kristo Floqi, Deputet: Zotërinj! Si kur se tha dhe i ndershmi Deputet i Gjinokastrës Z. H. Delvina, na nuk kemi ndonjë kundërshtim që t’i jepet Bashkisë kjo shumë dhe për këtë nuk e kursejmë votën se të gjithë e dëshirojmë përmirësimin e Kryeqytetit; por të themi dhe të drejtën se qysh nga dita që u deklarua Tirana si kryeqytet dhe që kanë shkuar gjashtë muaj deri tash nuk kemi parë as një përmirësim, as një ndreqje që të jetë bërë për ndërtimin e qytetit, d.m.th. Tiranasit nuk kanë treguar as pak aktivitet, por vazhdon gjith një si ka qenë dhe përpara.
E vetmja vepër që kanë bërë është marrja e nismës për ngritjen e një pallati, për të cilën si e shihni kanë sjellë vetëm një grumbull gurësh sa për hedhjen e themelit tue shkruar me nji pllakë disa emna të deputetvet qi u përkujdesën, dhe qi atëherë e kanë lënë ashtu sa i ka mbuluar bari. Rrugë, vijat qindrojnë ashtu si kanë qenë ma parë, të pa fshira e të pa kulluara e lopët e qetë shkojnë për mes qytetit për të cilën shumë herë kemi bërë dhe kritikë me gazetë, por më kot.
Gjindja e Kryeqytetit në këtë pozitë si nji fshat më duket se nuk i afrohet qëllimit që ka, se kryeqyteti duhet të bëhet shembëlla dhe për qytetet e tjera. Si dihet Tirana nuk duhet të përmirësohet vetëm për vendësit, por për gjithë Shqiptarët, se si kryeqytet i tyne qi asht do të mbledhë në gji të tij njerëz prej gjith anëve të Shqipnis.
Pra me rastin qi ndodhet dhe Z. Minis’ri i P. të Mbrendshme këtu, i lutemi të na japë pak shpjegime mbi veprimet e Bashkisë.
Ceno Kryeziu, Ministër i Brendshëm: Zotënij! Si dihet prej të gjith Z. Juej Bashkija e Tiranës të ardhunat i ka shumë të paka, prandaj për të goditun kryeqyteti si duhet dhe si e dishroni Z. e juej me këto të ardhuna qi ka nuk asht e mundun.
Ma parë si kur se dihet Tirana ka qenë nji Nënprefekturë dhe e pa caktuem për Kryeqytet, e kështu nuk mujt as njeri të ngritte godina tj., se nji herë thuhej që do të pranohet Vlona si kryeqytet, Shkodra e tash qi u caktue definitivisht e si thashë ma parë qi të ardhunat e Bashkis nuk mjaftojnë, por lypen këto 400.000 franga ari qi t’i jepen Bashkis së Tiranës hua prej banknotavet qi do t’emitohen nga Banka Kombtare të cilat si përmëndën dhe në Dekret ligje do të shpenzohen vetëm për mirëësimin e qytetit d.m.th. komunikasjion, kanalizim e tjera.
Sa për kritikët qi i bahen Tiranës se nëpër rrugët e qytetit shkojnë qe e lopë, këto tash për tash nuk mundemi t’i ndalojmë e të ndreqen të gjitha për nji heresh. Unë jam ndodhun në Kryeqytet të Jugosllavis, në Beograd e këtê Kryeqytet e sjell si shëmbëll se ka pasun dhe shumë deputetën qi mund t’a kenë parë si mua qi dhe atje shkojnë qe e kuaj nëpër rrugët.
Plani qi asht ba i përmblidhte gjithë Ministrit në nji godinë bashkë por për me u zbukurue Tirana ma mirë u ndryshua ky plan si mbas propozimit qi kish ba Ministria e P. Botore d.m.th. qi çdo Ministri të ketë ndërtesë të veçantë dhe ky plan ndodhet në duart të Kryetarit të Republikës dhe të inzhinervet.
Këto pare qi do t’i nepen hua Bashkis masi nuk ka no nji ligjë se në ç’mënyrë do të arxhohen, jemi tue u pregatit nji ligjë të re, e në doni t’e dini se si do të arxhohen këto të holla at’here mundet të caktoni Z. juej 4-5 veta e kështu këta t’a shofin se ku duhet me u arxhue….
Viti 1925 është padyshim një nga vitet më përcaktuese për zhvillimin e kryeqytetit.
Koncesioni i Bankës Kombëtare i lidhur me projektin e investimeve SVEA do të përcaktonte të ardhmen infrastrukturore të kryeqytetit. Gjithnjë e më shumë Tirana po shihej si kryeqytet i vendit dhe si qendra e re politike e administrative por sfida më e madhe që paraqitej në aspektin urbanistik ishte ajo e shndërrimit mbi bazën e një plani modern urban, të bazuar në një plan rregullues e zhvillimor.
Marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë së drejtuar nga Ahmet Zogu dhe italisë do të sillte një plan tëri të rregullimit të kryeqytet, në kuadrin e projekteve të shumta ekonomike që do të financoheshin nga italia.
Për projektimin e kryeqytetit të ri në Shqipëri do të vinte arkitekti italian Armando Brasini i cili do të projektonte qytetin e ri në një terren tipik oriental. Në vitin 1925, Brasini hartoi projekt idenë e parë rreth riorganizimit të qendrës së re të kryeqytetit shqiptar. Ky projekt parashikonte një bulevard qendror e anash tij ndërtesat e ministrive. ideja e Brasinit do të ishte ajo e krijimit të një ishulli roman në qytet, duke ruajtur pazarin oriental dhe godinat përreth tij.
Në këtë masterplan ai propozon një strukturë plotësisht racionale dhe gjeometrike për rrjetet rrugore dhe sheshet e qytetit të ri duke sjellë për herë të parë konceptin e një bulevardi të fortë monumental të shtrirë në drejtimin veri-jug, që do të zbatohej në vitet 1930. Brasini zhvilloi disa projekte të detajuara për qendrën e qytetit dhe bulevardin të cilat nuk u zbatuan.
Me financimin e SVEA-s në Shqipëri u ndërtuan një serë godinash të rëndësishme mes të cilave Blloku i Ministrive në Tiranë dhe vilat mbretërore në Tiranë.
Vila Mbretërore e Tiranës u realizua nga kompania shqiptare SiTA dhe kompania italiane Staccioli. Kostoja e saj ishte 365 mijë franga.
Rezidenca mbretërore në Tiranë iu nënshtruan rikonstruksionit dhe punimet u kryen nga shoqëria shqiptare SiTA dhe shoqëria Staccioli. Punimet e rikonstruksionit kushtuan 338 mijë franga ari.
Pallatet e Ministrive në Tiranë u projektuan nga arkitekti Florestano de Fausto dhe punimet u kryen nga sipërmarrja shqiptare SiTA dhe ajo italiane Staccioli.
Kostoja e 6 godinave të bllokut të ministrive arriti në 2.7 milionë franga ari. Në kuadër të këtij projekti u ndërtuan Burgu i Tiranës, Shkolla Teknike, Spitali Civil, rrugët Tiranë-Elbasan e Tiranë Durrës,
Do të ishte pikërisht Tirana ajo që do të merrte përqindjen me të lartë të investimeve të SVEAS për ndërtesa. 70% e fondeve të destinuara për ndërtesa u investuan në Tiranë ose e thënë ndryshe 7.65 milionë franga.
“Tirana e Re” dhe lotaria e banesave për deputetët dhe nëpunësit
Veç ndërtimit të godinave shtetërore, në vitet e para si kryeqytet, Tirana ziente nga një debat për strehimin e nëpunësve. Për këtë qëllim, plani i qeverisë parashikonte shpronësime tokash në kryeqytet dhe ndërtimin e godinave të banimit që më pas do t’i nëpunësve shtetërorë të cilët i kryenin funksionet e tyre në shtëpi me qira apo edhe në hotele. i mandatuar për realizimin e këtij projekti ishte deputeti i njohur, doktor Simon Simonidhi.
Detajet për këtë plan dalin nga një diskutim që zhvillohen në parlament në seancën e 6 shkurtit të vitit 1929, 4 vite pasi Tirana ishte shpallur përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.
Procesi për ndërtimin e banesave të nëpunësve kishte nisur që në vitin 1927 por ende nuk ishte bërë gjë.
Dr. Simonidhi: Kur m’u ngarkua detyra për t’instaluar nëpunësit në Kryeqytetin me ekspozën që kam bërë atëherë përpara Parlamentit tregova programin që kisha ndër mend t’aplikoja për ti arritur qëllimit.
Unë si e dini, punën e ndava me dy pjesë. Pjesa e parë: eksproprijimi i tokave dhe ndamjet e këtyne nëpunësavet etj. dhe pjesa e dytë: marrëveshje me shoqëni të ndryshme për ngrehjen dhe goditjen e shtëpive.
Mbi këto baza fillova dhe para çdo tjetër e pregatita një Projekt-ligj i cili parashikonte çdo gjë që ish i nevojshëm për realizimin e kësaj çeshtje.
Por ky Projekt-ligj ndonse u aprovua prej të dy dhomave nuk u dekretue prej Kryetarit të Republikës, se u quajt i metë në pjesën që i përkiste sigurimit që do jepesh prej Ministrisë së Financave për nënpunsat. Sikundër e dini ky Projekt-ligj ka qenë i vetmi për të cilin Kryetari i Republikës ka përdorun (veton.) Me gjithë këtë ligji u kthye prap në Parlament, u modifikue si e donte nevoja dhe pasi u dekretue fillova me shokët për ta vënë në zbatim.
Dhe pikës së pari u pregatitën planet e nevojshme.
Me një anë Misioni topografik italian na pregatiti hartën topografike të vendit ku do ngrihet “Tirana e Re” dhe në tjetër anë arkitekti i Ministrisë së P. Botore më pregatiti planin e kësaj ligje.
Por kët plan Këshilli Ministruer nuk e aprovoj se e quejti të metë për sa i përkiste parqeve. Me të vërtetë parqet i kishin parashikue arë të pakët; nga ky shkak pra u vendos prej Këshillit Ministruer të formohet një komision prej inxhinjerash nën kryesin t’ime për të studjuar në vend këtë çeshtje. Komisioni i formuem prej Drejtorit teknik dhe arkitektit të Ministrisë së P. Botore, prej inxhinierit të Shoqënis Svea dhe prej arkitektit të Kryesis së Republikës, pasi studjoj çeshtjen në vend dha raportin e vet dhe në bazë të këtij u pregatit një plan tjetër i cili pasi u aprovua prej Këshillit Ministruer u njoftua Bashkia Kryeqytetit për zbatim.
Plani parashikonte organizimin e një lotarie për tokat e Tiranës së re ku do të ndërtoshin banesat e reja që do të përdoreshin për ta. E pikërisht organizimi i kësaj lotarie krijon pakënaqësi, çka sjell edhe ndërprerjen e projektit.
“Kurse plani ish i mbaruem nji ditë të caktuar u hodh lotua në Bashkin e Kryeqytetit para nji Komisioni të formuem si mbas ligjit posaçëm dhe kështu se cilit Deputet ose nëpunës i ra nji numër si mbas planit.
Pas lotos filloi ndalimi i të hollave për tokën prej Ministrisë së Financavet, por në kohë që kjo Ministri kish filluar të ndalonte prej nënpunsavet etj. të hollat pak nga pak ngjajti nji konflikt i vogël në gjirin e komisionit, konflikti i cili do pengonte realizimin e çeshtjes. Në kohë që gjëndesha në Vlorë anëtarët e Komisionit, nuk e din për ç’arsye, bënë nji shpallje në Fletoren Zyrtare, tue thirrun gjithë nënpunsit të mos depozitonin të hollat për tokën në Arkën e Qëndrës para se të mirrnin tapiën, dhe ata qi kishin depozituar t’ merrnin prapë.
Veç kësaj me anën e kësaj shpallje prezantonin terthurazi Kryetarin e Komisionit sikur ky vepronte kontra ligjit, tue kërkuar këto të hollat. Posa mora dijeni të kësaj çeshtje hika qi në atë çast prej Vlorë dhe erdha në Tiranë ku me ndihmën e Z.Z. Ministrit të Financave dhe të Botores, të cilët ligji u jep të drejtë të kenë përfaqësues në Komision, arrita të pushoheshin këto dhe në vend të tyne t’emnoheshin të tjerë, kështu për disiluzion dhe dëshirim që kish kapur nënpunsit mbas kësaj shpallje i zavendësova prej shpresavet të realizimit”.
Projekti parashikonte që në marrëveshje me kompanitë private, në atë që do të emërtohej Tirana e Re, do të ndërtoheshin brenda 2 viteve 300-350 shtëpi të cilat do t’i ndaheshin deputetëve dhe nëpunësve. Këta të fundit, me marrjen e banesës së tyre, duhej që t’i paguanin ato me këste mujore për një përiduhë 15 deri në 20 vite. Por seanca e 6 shkurtit të vitit 1929 u shoqërua nga tensione të shumta dhe kundërshtitë e vetë udhëheqësit të projektit, doktor Simonidhit.
Kjo për faktin se projekti që po diskutohej në Kuvend parashikonte që të mos ishte më një komision teknik që drejtonte procesin e ndërtimit dhe shpërndarjes së banesave të reja, por do të ishte një komision qeveritar në përbërje të të cilit do të ishin ministrat.
Në këtë mënyrë, veç godinave shtetërore si ministritë dhe bulevardi, spitali e godina të tjera, u ndërtuan edhe shtëpitë e nëpunësve shtetërorë, duke bërë që Tirana tashmë të merrte një fizionomi të re dhe në aspektin urbanistik.
Përfundimi i krizës së banimit në Tiranë
Kriza e banimit në Tiranë u zgjidh në vitin 1931. Në këtë përiudhë ndërtimet ishin zhvilluar aq shumë sa kishin plotësuar nevojën për banim. Në kryeqytet ishin ndërtuar godina, banesa e hotele të mjaftueshme që të akomodonin çdo nevojë. Deri në atë periudhë, autoritetet shtetërore kishin vepruar me ligje për të frenuar rritjen e paarsyeshme të qirave, duke u vendos çmime tavan. Në vitin 1931, parlamentit iu dërgua për votim akti ligjor që e shfuqizonte këtë kufizim.
Gjatë këtyre viteve, popullsia e kryeqytetit ishte rritur me 4 herë. Ndërkohë, që prej vitit 1927, kryeqyteti furnizohej me energji elektrike të mundësuar nga kompania SiTA përmes një centrali që prodhonte energji elektrike për ndriçim në banesa dhe në akset kryesore rrugore. Ndërsa, rreth 36 mijë metra rrugë ishin të asfaltuara me bitumin e minierës së Selenicës.
Me kalimin e viteve, nga projektet fillestare deri te vendimet kyçe mbi pronësinë dhe ndërtimet publike, Tirana u shndërrua në një simbol të zhvillimit urban shqiptar…