Durim Bami do të ekstradohet në Shqipëri! Lajmi është bërë me dije nga Interpol Abi Dhabi, duke e bërë Bamin, personin e tretë që kthehet në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo është hera e dytë që Bami përfundon në pranga në Shqipëri. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, të cilët ishin dy të parët që nisën “sagën” e ekstradimeve nga vendi që deri më tani ishte cilësuar si një parajë për kriminelët pasi nuk kishte marrëveshje ekstradimi. Por nëse me Bamin do të ndiqet i njëjti skenar si me Dervishajn, do të thotë se diçka ka ndodhur. Në rastin e ish-anëtarit të bandës së Durrrësit, ai u përplas fizikisht me një tjetër shqiptar, duke shkelur kështu ligjet e vendit ku qëndronte.
Ndaj më shumë se u ekstradua, ai u dëbua nga Dubai.
Por në rastin e Bamit, ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur. Mund të ketë pasur një përplasje mes tij dhe shqiptarëve të tjerë që ndodhen në Dubai? Nëse po, me kë? Pritet që në ditët në vijim të mësohen me shumë detaje, pasi deri më tani, as Policia shqiptare nuk ka dalë me një njoftim për të konfirmuar arrestimin e Bamit.
Herën e parë, ai u ndalua së me vëllain e tij Valter Bamin në kuadër të operacionit “Revanshi”. Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshiheshin prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK. Sipas dosjes së fundit të SPAK, “Revanshi”, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës. Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”.