Disa kompetenca në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, do të kalojnë nga ministritë përkatëse, tek bashkitë. Ky projekt i decentrazlizimit horizontal të kompetencave, i cili fillimisht do të pilotohet në bashkitë Shkodër, Berat, Kolonjë dhe Divjakë për 12 muaj, u prezantua nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe marrëveshjet u firmosën mes ministrave përkatës dhe 4 kryetarëve të bashkive.

Konkretisht bashkitë do të luajnë një rol më të madh në shëndetësi duke u përfshirë në procedurën e emërimit të drejtuesve të qendrave shëndetësore, do të kryejnë rikonstruksione të qendrave shëndetësore dhe do të bashkëpunojë me Ministrinë e Shëndetësisë për furnizimin e qendrave shëndetësore me barna dhe materiale mjekësore.

Në fushën e bujqësisë, ndër të tjera bashkia do të ketë një rol këshillimor për dhënie informacioni dhe asistencë të fermerëve për skemat kombëtare mbështetëse.

Ndërsa në fushën e arsimit, bashkia do të ketë rol në procedurën e emërimit të drejtuesve të shkollave dhe të mbarëvajtjes së punës të stafeve arismore. Pushteti Vendor gjithashtu do të ketë përfaqësuesit e tij në bordet e shkollave dhe do të sigurojë transportin për nxënësit dhe mësuesit.

Projekti i pilotimit të decentralizimit për Ministrin Arbjan Mazniku është një projekt që do të sjellë shërbimet afër qytetarëve. “Ne kemi shpenzuar disa muaj për të parë se çfarë kompetencash mund të delegohen në formën e një pilotimi në disa bashki, për ta vlerësuar këtë pilotim për një periudhë një-vjeçare dhe për të parë sërish së bashku në krye të një viti nëse bën sens që këtë ushtrim ta zgjerojmë më tej apo ta alternojmë, apo ta ndryshojmë për të pasur më pas një reformë të mirëfilltë decentralizimi” u shpreh Mazniku

Marrëvesha u firmos mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ministres se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, Ministres së Arsimti dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetarëve tëBashkive Shkodër, Berat, Kolonjë dhe Divjakë.