Nga Ilir Yzeiri
Dhuna, revolta, demonstrimet e fuqishme me dëme materiale, djegia e qyteteve si Parisi nga jelekverdhët, dhuna mbi Kapitol më 6 janar e plot demonstrime të tilla, janë një gjë e njohur në demokraci dhe ato bëhen zakonisht nga masat e njerëzve të zhgënjeyer, të cilët mund të jenë me frymëzim të majtë ose të djathtë. Italia për shumë vite ka qenë arenë e përgjakshme e këtyre përplasjeve. Kjo është kostoja e demokracisë. Mirëpo, në asnjë vend të botës nuk ndodh që një grusht deputetësh të shndërrohen në delinkuentë primitivë, idiotë e qesherakë. Deputetët bëjnë obstruksionizëm brenda sallës së Parlamentit, mund të rrihen me njëri-tjetrin, por nuk mund të ndodhë kurrë që ata të djegin Kuvendin, të ndezin zjarr në vendin më të shenjtë që ka një vend.
Deputeti është një institucion, është vetë Parlamenti, është në një farë kuptimi demokracia dhe nuk mund të ndodhë që ai të djegë vetveten. Hegeli thoshte se idetë prijnë jetën, ato vijnë para anës materiale. Institucionet që ndërtojnë njerëzit për të çuar përpara jetën e tyre janë mishërim i ideve. Ne jemi i vetmi vend që nuk trashëguam një institucion hijerëndë siç është godina e Parlamentit. Ajo ndërtesë e vogël që sot shërben si Teatër Kukullash është shenja e kuptimit dhe vendit që ka pasur në jetën tonë Parlamenti.
Komunistët përshtatën një godinë tjetër, atë që shërben edhe sot si Parlament i Shqipërisë. Kjo ka ndodhur sepse te ne nuk ka luftë idesh, por luftë primitive për të asgjësuar kundërshtarin. Ne nzuk e kemi përfillur sallën e Kuvendit. Edhe Kuvendet tona mbaheshin jashtë në qiell të hapur. Ne na vret sytë Godina e Bukur, Institucioni që është mishërim i idesë Opozita shqiptare e njohur si grupimi i Foltores e mban të gjallë këtë shenjë të barbarisë sonë politike. Mbështetësit e opozitës shqiptare nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar nga ky grupim dhe ata i kanë braktisur të gjitha aksionet politike të kësaj force. Thirrjeve të dëshpëruara të Sali Berishës nga maja e penxheres nuk u përgjigjet askush.
Karikatura më e qartë ishte protesta para Bashkisë së Tiranës. Të mbetur pa popull dhe pa mbështetës, deputetët që ndjekin Sali Berishën kanë vendosur të shndërrohen në militantë delinkuentë dhe të bëjnë ato aksione që do të duhej t’i bënte populli opozitar. Këtu po spekulohet shumë dhe të gjithë ata që ndërsejnë Berishën të hidhet nga penxherja drejt e në zjarrin që po ndez Mul Noka, thonë se edhe amerikanët dogjën Kapitolin. Po, është e vërtetë, por jo senatorët republikanë apo demokratë, e dogjën protestuesit dhe të gjithë krahët e politikës amerikane republikanë e demokratë e dënuan atë dhunë. Trump, i akuzuar se ka nxitur atë dhunë po mbrohet duke thënë se nuk e ka kryer një gjë të tillë.
Ndaj, këta delinkuentët që kanë vendosur të zëvendësojnë opozitarët e zemëruar që djegin goma e karrige po hyjnë në historinë politike shqiptare si një lloj i padëgjuar më parë. Në këtë kuptim ata janë idiotë sepse siç thotë fjalori Le Robert – idioti është ai që nuk vë mendjen në punë dhe nuk pranon mirëkuptimin. Duke qenë kështu, ata, nga aktorë politikë shndërrohen në kllounë mediatikë dhe bëhen edhe qesharakë. Zemërimi i tyre dhe vuajtja për t’i rënë në sy Berishës që ai të mos i harrojë, nuk bëjnë pjesë në programin e opozitës dhe nuk janë pjesë e problemeve të saj.
Sot populli opozitar ka mbetur i papërfaqësuar e jetim. Ai po largohet më shumë nga pjesëmarrja politike kur sheh se përfaqësuesit e tij sillen si delinkuentë, idiotë e qesharakë. Vizioni i çdo opozite dhe i popullit që e ndjek atë është ardhja në pushtet dhe realizimi i një programi që e bën jetën e opozitarëve dhe të shqiptarëve më të mirë. Mirëpo këtë devizë grupi i foltores e ka braktisur me kohë. Problemi i tyre janë burgjet dhe Sali Berisha që është marrë i pandehur. Këtë hall populli opozitar nuk e zgjidh dot.