Andy Kerbrat, një deputet francez nga partia e majtë “La France Insoumise”, u kap në flagrancë nga policia teksa po blinte drogë në rrugë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë deputeti në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, duke konfirmuar lajmin e përhapur fillimisht nga e përjavshmja “Valeurs Actuelles”.
Sipas “Valeurs Actuelles”, e cila zbuloi fillimisht arrestimin e deputetit, ai dispononte 1.35 gram 3-MMC, një drogë sintetike e cila po lulëzon në Francë.
Kerbratit nuk ju caktua një masë paraburgimi, por të nesërmen ka shkuar në polici për seancë pyetësore, sipas asaj që ai saktëson vetë në deklaratën e publikuar në platformën ‘X’. Ai thotë se është “në dispozicion të drejtësisë” dhe siguron se “do të luftojë kundër varësisë së tij”.
“Marr plotësisht përgjegjësitë e mia dhe vihem në dispozicion të drejtësisë. Për shkak të problemeve personale dhe brishtësisë psikologjike kam konsumuar droga sintetike dhe jam plotësisht i vetëdijshëm për efektet e tyre”, shkruan deputeti duke shpjeguar se do të ndjekë një “protokoll” që synon rifillimin e “veprimtarisë së tij si parlamentar”.
Së fundi ai u kërkon falje zgjedhësve të tij, si dhe grupit të tij parlamentar. Ndërkohë, ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau reagoi duke thënë se “është e patolerueshme” që një deputet të konsumojë lëndë narkotike.
“Një deputet”, – shprehet ministri – “e ka për detyrë të jetë shembullor”.
“Nuk është e tolerueshme të shohësh një deputet të Republikës të blejë drogë sintetike nga një tregtar rruge”, përfundoi ai.