Jurgis Çyrbja është marrë i pandehur zyrtarisht nga SPAK për shpërdorim detyre. Çyrbja ishte sërish sot në Prokurorinë e Posaçme ku i është komunikuar akuza.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se ish-deputeti i PS-së do të përballet në gjykatë me akuzën për “shpërdorim detyre” në kohën kur ishte drejtor i ZVRPP Durrës të ngritura nga zyrtarë të PD-së.
“I është komunikuar akuza e shpërdorimit të detyrës ditën e sotme nga SPAK, lidhur me kallëzimin e PD-së kur Çyrbja ka qenë drejtues i Hipotekës së Durrësit. SPAK mund të ketë dhe një njoftim zyrtar edhe pse çështja është ende në hetim. Kur SPAK do të mbyllë hetimet Çyrbja ka të drejtë të tërheqë materialet nga dosja hetimore në SPAK dhe më pas të bëjë prapësimet apo ankimimet, më pas Prokuroria e Posaçme ka të drejtë të dërgojë për gjykim çështjen”, tha Çelmeta.
Ditën e djeshme ish-deputeti i PS-së për qarkun e Durrësit dorëzoi mandatin e deputetit.