“Dhuna nuk ka vend në demokraci”, është mesazhi i ambasadës britanike në Tiranë, për incidentet e një dite më parë në Kuvend.

Ambasada fton palët politike që të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare. Ambasada Britanike dënon aktivitetin që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”.

Seanca e një dite më parë u përfshi nga tensione mes maxhorancës dhe opozitës. Deputetët demokratë morën karriget e tyre në salle dhe i nxorën ne oborr ku u vunë flakën. Ky aksion vijon pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë.

Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet qe prej ditës së djeshme, ndërsa më 7 tetor do të nisë vala e protestave.