Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Ervin Minarolli janë në mesin e të proceduarve nga policia e Tiranës në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës mbrëmjen e së hënës. Policia thotë se në pranga ka rënë një 57 vjeçar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;
Të proceduarit, një 31 vjeçar dhe dy të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, akuzohen për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ndaj Nokës, Bardhit dhe Minarollit rëndojnë akuzat për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Policia thotë se po punohet edhe për kapjen e 9 të tjerëve, të dyshuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga nenet 274, 237, 151, 150, 282 dhe 236 të kodit Penal.
Protestuesit u mblodhën në në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur te selia e Partisë Socialiste, godina e Ministrisë së Brendshme, godina e Bashkisë Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjatë rrugëtimit, protestuesit kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, mbi punonjësit e Policisë dhe godinat e institucioneve shtetërore, u dëmtuan 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital dhe janë jashtë rezikut për jetën.
Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 shtetas (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë dëmtuar me lëndë plasëse (molotovë) dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.