Nga ekspertiza e kryer ndaj Klea Prengës, rezulton se dëmtimet e shkaktuara nga motrat Berisha, hynë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore.
Ndërkohë që motrat Antonela dhe Marinela Berisha janë në kërkim. ka dalë ekspertiza e Klea Prengës e cila u dhunua rreth dy muaj më parë.
Në ekspertizë thuhet se përveç prishjes së imazhit dhe humbjes së punës, Klea Prenga ka mpirje të anës së djathtë të fytyrës dhe kryesisht buzës së sipërme nga ana e djathtë.
“U konstatua mbetje e plagëve në fytyrë me karakteristikat dhe lokalizimet e lartpërmendura, shoqëruar me asimetri të dukshme të buzës së sipërme dhe muskulatures së anës së djathtë të fytyrës. Këto dëmtime janë të përhershme, të pariparueshme vetvetiu apo me teknika të zakonshme mjekësore, si të tilla kanë dhënë për pasojë shëmtim tek shtetasja e mësipërme; ndaj bazuar mbi kriterin e “shëmtimit” këto dëmtime hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore.
Në datën 09.09.2024 shtetasja e mësiperme u paraqit për ekzaminim objektiv pranë IML. Në momentin e paraqitjes, gendja e përgjithshme paraqitet jo e mirë. Nga ana emocionale, është e ngarkuar dhe ka një labilitet të shtuar. Referon se kohët e fundit është mbyllur në vetvete, ka kufizuar shumë daljet në publik dhe nuk i frekuenton më ambientet e dikurshme për shkak të kompleksit të krijuar nga pamja e jashtme. Referon se ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes.
Aktualisht, ankon për mpirje të anës së djathtë të fytyrës dhe kryesisht buzës së sipërme nga ana e djathtë. Gjatë lëvizjes së buzëve shihet një kufizim i mbylljes së plotë dhe hapje më e kufizuar në anën e djathtë të buzëve.
Në regjionin zigomatik suborbital të djathtë, vërehet mbetje e një plage në trajtën e gërmes “L” të përmbysur, me drejtim horizontal që fillon nga mollëza e djathtë dhe shkon në drejtim të kurrizit të hundës, me gjatësi të krahut të shkurtër 2.1 cm dhe krahut të gjatë 5.2 cm, në trajtë ulluku, me ngjyrë të kuqërremtë dhe nuanca të bardha e të zeza, në të cilën projektohen shenjat e 13 qepjeve.
Zona përreth mbetjes së plagës paraqitet edematoze, me trajtë elipsoide, me diametra 7 x 3.5 cm. Në regjionin tëmthor të djathtë vihet re një tjetër mbetje plagë, me të njëjtat karakteristika, trajtë gjatësore, pak e harkuar, 2.3 cm, me drejtim vertikal, me praninë e mbetjeve të 6 suturave. Në regjionin frontal të djathtë vihet re prania e një zone me nxirje të lëkurës me përmasa 3×2 cm, me konsistencë të ashpër, e dukshme në distancë të konsiderueshme.
Dëmtime të tjera të jashtme trupore nuk u konstatuan. E dëmtuara ka realizuar një ekzaminimin elektroneurografik për nervat facialë të anës së djathtë të fytyrës dhe nga ky ekzaminimin rezulton si më poshtë:
“Parametrat elektrofiziologjike janë brenda normës për nervin facial. Asimetria qe vihen në dukje i dedikohen më shumë dëmimeve të vogla të fibrave muskulare apo degeve fundore të nervit facial”.
Konkluzion: Duke u mbështetur në të dhënat e mësiperme arrijmë në përfundimin se:
Tek shtetasja Klea Prenga u konstatua mbetje e plagëve në fytyrë me karakteristikat dhe lokalizimet e lartpërmendura, shoqëruar me asimetri të dukshme të buzës së sipërme dhe muskulatures së anës së djathtë të fytyrës.
Këto demtime janë të përhershme, të pariparueshme vetvetiu apo me teknika të zakonshme mjekësore, si të tilla kanë dhënë për pasojë shëmtim tek shtetasja e mësipërme; ndaj bazuar mbi kriterin e “shëmtimit” keto dëmtime hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore”, thuhet në aktekspertizë.