Arbi Agalliu është një nga nismëtarët e partisë më të re në Shqipëri, ”Djathtas 1912”. I ftuar në Ditarin e fundjavës në A2 CNN, Agalliu veçoi tri elementë që, sipas tij, e distancojnë nga Partia Demokratike dhe jo vetëm.
“Ne na ndajnë në jetën politike sot 3 elementë. Së pari, mbështetje pa kushte e sistemit të drejtësisë. Të mbështesim sistemin e drejtësisë pa kushte.
Të luftojmë mesa mundet këtë regjim të korruptuar, që e japin të gjithë treguesit zyrtarë dhe nga ana tjetër, partneriteti me aleatët tanë strategjikë, SHBA, BE dhe Britania e Madhe.
Sot nisi rrugëtimi dhe aty ishte një pjesë e grupit nismëtar, të cilët bënë prezantimin e partisë, treguan elementë ku do të bazohemi dhe fatmirësisht.
Unë besoj se ne kemi mbajtur një qëndrim koherent që nga 9 shtatori 2021 e deri më sot. Kemi besuar fort se e shkuara korruptive e këtij vendi nuk do të jetë e ardhmja dhe sistemi i drejtësisë duhet të mbështetet”, tha Agalliu në A2.
Edhe pse ka vetëm pak orë që prej prezantimit për publikun, ”Djathtas” kërkon menjëherë aleatë. Agalliu u shpreh se janë të gatshëm të bëhen pjesë e një liste të vetme në zgjedhje me ato parti që përmbushin dy kushte.
“Të gjithë ata që sot janë kundër këtij regjimi dhe janë në mbështetje të plotë të sistemit të drejtësisë, patjetër që do të duhet të gjejmë një emërues të përbashkët për të qenë në një listë të vetme kundrejt kësaj oligarkie politike apo edhe ekonomike”, u shpreh Agalliu.