Askush nuk mban përgjegjësi për humbjen e jetës së foshnjes në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka tronditur vendin, ndërsa mjekja që kishte për detyrë të kujdesej për të është akuzuar për “mungesë kujdesi”, por sërish është në krye të detyrës në maternitetin e Vlorës. Se çfarë ka ndodhur, më shumë detaje ka dhënë babai i foshnjës Neritan Halilaj në një lidhje për emisionin “Shqipëria Live”. Me lot në sy, ai tregoi se i biri nuk kishte pasur asnjë problem gjatë 5 ditëve që kishte qëndruar në spital. Por se çfarë i ndodhi dhe përse humbi jetën, asnjë prej mjekëve dhe as infermierët nuk i kanë dhënë as sot asnjë shpjegim. Madje, shtoi se kanë tentuar ta mbulojnë duke dëshmuar në Polici se foshnja i kishte rënë nga duart të afërmes së çiftit (kunatës së nënës), por personi në fjalë nuk ka qenë fare në spital në momentin që foshnja ka ndërruar jetë.
“Ishte shumë e vështirë, nuk kemi fjalë për atë që na ka ndodhur. Lindi shumë mirë, vajta ta marr nusen dhe djalin ditën e tretë, më tha doktoresha do rrijë dhe nja dy ditë sepse po merr një mjekim djali, sepse i kishin dalë ca akne të kuqe si çdo fëmije. Ok e lashë, ditën e pestë erdhi doktoresha na tha gjithçka mirë, dhe i bënë vaksinën e bebit, dhe me merr nusja në telefon dhe më thotë do dalim. Marr babanë në telefon të vijë ta marrë sepse unë isha në punë dhe nuk kisha mundësi të shkoja, më merr nusja prapë në telefon, djali është pajetë, është nxirë. Sa herë shkoja dhe pyesja, infermierja më thoshte është shumë mirë, ndërkohë pastaj nuk e di çfarë ndodhi. Unë do ta çoj deri në fund. Nëse djali ishte i sëmurë të më thonin dhe unë do merrja masa. Puna ime se çfarë do bëja unë. Ajo ka qenë punë momentale, nuk e di se çfarë ka bërë doktoresha, Idajete Cane. Askush nga spitali nuk na kanë dhënë një shpjegim. Na ka ardhur vetëm Policia. Asnjë nuk na ka dhënë asnjë dëshmise çfarë ka ndodhur. Ne do ta ndjekim rastin deri në fund. Sot kam dhënë dëshminë, do presim autopsinë e bebit. Doktoresha është në punë akoma, nuk është pezulluar akoma.
Nuses i ka rënë tre herë të fikët, pse ma lanë të futej nusja brenda kur fëmija kishte ndërruar jetë? Nëse kishte diçka djali, pse s’ma thanë? Nusja i kishte dhënë për të pirë, i kishin bërë vaksinën, nusja kishte vajtur për t’u ndërruar, ajo zonja kishte marrë bebin për ta ndërruar, nusja priste në dhomë, ‘pse s’po ma sjellin’. Kishte shkuar të dhoma dhe kishte parë të gjithë aty, i kishin thënë ka një rast urgjence, nusja kishte thënë ‘dalë se mos është çuni im’, dhe e kishte parë aty të nxirë.
Djali im kishte një vigon në dorë, nuk e di pse e kishte. Ajo doktoresha nuk i ishte trembur syri fare. Nusen e ka gjetur pa ndjenja në tokë kunata ime. Edhe sot nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim, asnjë arsye pse fëmija im ka ndërruar jetë. Në shtëpi është gruaja, por nuk është mirë.
Unë nuk ia fal kurrë asaj mjeke se ajo ma ka marrë jetën e djalit, do t’i shkojë deri në fund. E di që djali im nuk ka qenë i sëmurë. Pse i mori jetën? Pse? E kanë mendjen duke luajtur me telefon? Sa herë që veja e gjeja në telefon duke luajtur në telefon e ulur në tavolinë. A u ka rënë nga dora, a nuk e di…? I kishin bërë gati të gjitha që të dilte djali. Ishte mbudhur kartela për të dalë. Asaj doktoreshës nuk i ishte trembur syri fare. Në Polici na pyesnin ne ‘mos i ka rënë nga dora kunatës?’, ndërkohë që kunata nuk ka qenë aty. Nuk pashë asnjë mjek që të më sqaronte. Nuk na bëjnë këmbët që të shkojmë më në spital. Do i shkoj deri fund të vërtetës se e di që djali im nuk ka qenë i sëmurë,”-rrëfeu babai i foshnjës që tashmë ka ndërruar jetë,”-rrëfeu babai i foshnjes.
Ngjarja u bë publike ditën e djeshme, ku Policia e Shtetit bëri me dije se ka dyshime që mjekja Idajete Cane nuk e ka mjekuar si duhet të porsalindurin. Ndaj, për të është ngritur akuza për veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”. Pritet që atë që ka ndodhur ta zbulojë autopsia e foshnjës.