Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump “paralajmëroi” nisjen e një tjetër lufte botërore. Gjatë një tubimi në Kaliforni, Trump tha se shqetësimin më të madh e ka prej faktit se nuk u beson personave që aktualisht kanë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, ndaj edhe ka frikën se shumë shpejt bota do të ketë kaos.
“Shqetësimi im është se gjatë tre ose katër muajve të ardhshëm do të jemi në një luftë botërore për shkak të njerëzve që kemi në qeveri,”-tha në fjalën e tij republikani. Por duket se vetë e ka një plan! Ai përsëri premtoi se nëse fiton zgjedhjet presidenciale, do të jetë në gjendje të zgjidhë konfliktin në Ukrainë, si dhe të ndalojë kaosin në Lindjen e Mesme.
Edhe më herët republikanët janë shprehur besimplotë se mund të ndalin atë që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Kandidati i Trump për zv.president, JD Vance tha se Donald Trump mund të imponojë një zonë të çmilitarizuar në Ukrainë, si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Sipas propozimit të hartuar nga kandidati republikan për zëvendëspresident, Trump do të detyronte Kievin një marrëveshje që do të nënkuptonte ruajtjen e pavarësisë në këmbim të një garancie se nuk mund të bashkohej me NATO-n apo me Bashkimin Europian.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan disa negociata para se Moska ta niste pushtimi e plotë në shkurt 2022, por Kievi i hodhi poshtë kërkesat e paraqitura nga Moska, që përfshinin njohjen e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe entiteteve të kontrolluara nga separatistët në Luhansk dhe Donjeck.