Myrto Uzuni protagonist. Sulmuesi shqiptar realizoi dopietë me Granadën, në ndeshjen e La Liga 2 ndaj Tenerifes. Uzuni “tundi rrjetën” në minutën e 20-të, pas një asisti të Saenz, i cili i dhuroi një top të mirë nga krahët.
Goli i dytë i yllit kuqezi, erdhi në të 34-tën, duke ndezur kështu festën në stadium. Uzuni nuk u aktivizua në ndeshjen e kaluar, pasi ishte i dëmtuar. Rikthim i duhur në fushë për futbollistin nga Berati, në këtë moment shumë të rëndësishëm të sezonit. 29-vjeçari, në këtë sezon ka luajtur 7 ndeshje. Në edicionin e kaluar në La Liga, lojtari u impenjua në 34 ndeshje, ku realizoi 11 gola. Uzuni ka kontratë deri në vitin 2026, me skuadrën e Granadës.