Julian Kasapi, gazetar i kronikës së zezë në A2CNN dhe Aulona Kadillari, gazetare dhe redaktore ishin sot të ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV ku folën për situatën me krimin në Shqipëri. Gazetarët folën gjatë për çështjen e Ervis Martinajt, rast që e rrethojnë shumë enigma. Gazetarët thanë se Polica e Shtetit duhet të dalë edhe të flasë për fatin e Martinajt. Zoti Kasapi u shpreh ndër të tjera se prokuroria e ka pezulluar këtë çështje edhe ia ka dorëzuar dosjen Policisë së Shtetit.
Julian Kasapi: Ngjarjet më të rënda që nuk kanë autorë janë: vrasja në Don Bosko, Memaliaj, masakra në Vlorë, Top Channel, Shkodra. Ka plot ngjarje.
Roland Qafoku: Kemi edhe një kryengjarje; të Ervis Martinajt.
Julian Kasapi: Nuk e dimë akoma nëse është një ngjarje apo jo. Pse nuk flet policia? Ku është përgjigjja për Ervis Martinajn? Në momentin kur nuk ka trup, nuk ka krim, nuk ka viktimë. Është detyrë e Policisë së Shtetit edhe kryeministrit të japin një përgjigje.
Aulona Kadillari: Nuk mund të akuzosh askund nëse është vrarë apo zhdukur Ervis Martinaj në momentin kur nuk ka një trup. Kemi vetëm një polic të arrestuar. Tani për tani dosja e Martinajt është nën hetim.
Julian Kasapi: Unë mendoj që dosja ka mbetur në polici dhe jo prokurori. Është pezulluar. Prokuroria ia ka çuar dosjen policisë. Policia duhet të thotë çfarë ka ndodhur./K.C/dritare.net