Vendimi i institucioneve të drejtësisë për të mos marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, tregon pavarësisë e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Në një prononcim për mediat, ministri Manja tha se është normale që drejtësia të mos bëhet pjesë e këtij komisioni, pasi prokurorët nuk mund të atashohen pranë Komisionit të Posaçëm.
Por, nga ana tjetër, Manja theksoi se të gjitha organet e drejtësisë janë të gatshme që të japin ekspertizë dhe kjo sipas tij është një shenjë e bashkëpunimit.
“Janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizë në procesin e diskutimit të pr.ligjive ose drafteve por jo pjesëmarrje me ekspertë të posaçëm të dedikuar. Kjo shkon me të njëjtën gjatësi vale në pavarësinë që ka sistemi, ka thënë do u japim ekspertizë, por nuk vijmë me ekspertë aty. Është normale. Unë si ministër ofroj ekspertizën e posaçme për komisionin. Ka të bëjë me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe çuarjen para të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në këtë proces do duhet të bashkërendojmë kontributet e të gjithëve që ta shkurtojmë rrugën tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Janë treguar të gatshëm të ofrojnë ekspertizë, por jo me prezencë. Nuk besoj se është normale që prokurorët të atashohen pranë komisionit të posaçëm, por janë gati të ofrojnë ekspertizë siç na e kanë dhënë. Kemi një praktikë të konsoliduar të bashkëpunimit me organet e drejtësisë”, tha Manja.
Sa i takon draftit për Kodin e ri Penal, ministria tha se shumë shpejt do të hidhet për konsultim publik, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore nuk do kalojnë këtë legjislaturë.
“Drafti i Kodit Penal, një dokument është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Drafti pasi të kornizohet edhe me komentet dhe sugjerimet do lançohet për konsultim publik. Kodi i Ri penal është reformë, lidhet me një kod të ri, ligj material, që do t’i paraprijë zhvillimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e ardhshme.
S’ka si të kalojë në këtë legjislaturë kur ende nuk është hedhur për konsultim publik. Nuk do jetë një projektligj që do kalojë me 1 muaj ose 2 muaj konsultim publik, ne mendojmë që të jetë minimalisht 6 muaj konsultim publik”, tha Manja.