Simone Inzagi i ka rrëmbyer zemrat e tifozëve të Interit dhe i ka bindur të gjithë skeptikët se është një nga trajnerët më të mirë në qarkullim.
E ka bërë me fakte, me trofe dhe me lojën e tij spektakolare. Pavarësisht se në fillimin e këtij sezoni ka hasur disi vështirësi, ajo që ka bërë vitin e kaluar duke dominuar kampionatin dhe dy sezone më parë kur flirtoi me Ligën e Kampioneve janë në memorien e tifozëve. Shifrat thonë se ai është trajneri më fitues në historinë e Interit, nga ata që kanë të paktën mbi 100 ndeshje.
Kundër Romës, Inzagi arriti fitoren e tij të 110-të si trajner i zikaltërve duke marrë një vend të rëndësishëm në klasifikimin e të gjithë atyre që kanë drejtuar ekipin nga Milano. Inzagi tani ka përpara 3 mite të pankinës së Interit, Trapatonin që ka 126 fitore, Mançinin që ka 176 fitore dhe Helenio Herreren që ka 205 fitore. Sigurisht që misioni i radhës është të ngjitet në podium për të parakaluar Trapatonin.
MË FITUESI- Mirëpo, ka një statistikë ku Inzagi nuk ka fare rivalë dhe renditet i pari. Bëhet fjalë për përqindjen e fitoreve të arritura nga të gjithë trajnerët. Në totalin e ndeshjeve të drejtuara me stemën e zikaltërve, Inzagi ka 65.5% fitore dhe askush nuk ka aq shumë si ai. Në vendin e dytë është Olivieri me 63.1% fitore dhe Antonio Konte që ka arritur 62.7% fitore të ndeshjeve me skuadrën e Interit. Statistikat janë një aspekt dhe ndërkohë që këtë sezon, numri një i Interit duhet që të synojë patjetër fitoren e titullit kampion në Itali. Zikaltrit shihen si një nga skuadrat me organikën më të pasur dhe trajneri duhet që ta menaxhojë siç duhet për të shkuar deri në fund.