Nga Adriatik Doçi/
Nesër përballje mes Edi Netanyahu-t dhe Sali e Ilir Hamasit
Koncepti modern i mosbindjes civile u vulos nga Mahatma Gandhi me filozofinë e tij satyagraha, e cila në sanskritisht do të thotë “forca e së vërtetës”, një filozofi që i mëshon rezistencës jo të dhunshme ndaj së keqes. Me Salt March (Marshi i Kripës) në vitin 1930, Gandi udhëhoqi paqësisht miliona indianë për të marrë të drejta dhe liri të barabarta që ia kishte mohuar kolonizatori anglez. Dhe Gandi ia arriti qëllimit. Me protesta shumëmilionëshe paqësore, u fitua pavarësia e Indisë nga Perandoria Britanike.
Kështu u krijua koncepti i mosbindjes civile (civil disobedience), që u përqafua më vonë edhe nga Martin Luther King gjatë lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘60.
Mosbindja civile është refuzimi pa dhunë për t’iu bindur kërkesave ose urdhrave të një qeverie ose pushteti pushtues. Qëllimi gjithnjë është të detyrohet qeveria ose pushteti pushtues të bëjë lëshime.
Nga historia dhe bota, vijmë në Shqipëri…
Pushteti dhe pushtuesi janë “britaniku” Rama me “amerikanen” Spiropali, ndërsa Gandi dhe Luther Kingu ynë janë Sala me Mulin.
Janë ndezur demokratët e Shqipërisë për “mosbindje civile”, edhe pse askush nuk e di se kjo s’ka të bëjë me përmbysje, gjak, plumba, 21 Janar, as 1997. E di mirë doktor Sala (dyshoj për doktor Mulin) se çfarë do të thotë të mosbindesh civilisht. Mosbindja civile duhet të jetë jo e dhunshme për t’u quajtur “civile”.
P.sh. një akt i mosbindjes civile do të ishte sikur deputetët demokratë, të përvëluar nga dashuria për Salianjin dhe të ndezur nga padrejtësia e burgosjes së tij, të flinin përpara derës së burgut të Fierit (duke penguar lëvizjen e lirë të makinave të burgut) në solidaritet përvuajtës, deri ditën kur regjimi t’a nxirrte nga burgu ish-deputetin. Por ata nuk e bëjnë!
Një akt tjetër i ngjashëm do të ishte sikur me rrogat e tyre të blinin dhe organizonin sjelljen dhe shkarkimin rreth e qark Parlamentit të kamionëve plot me m.t. Meqenëse e kanë afër me godinën e PD, të mbushnin çdo ditë perimetrin e hyrjes në Parlament me një brez të trashë m.ti. Këtë mosbindje që mban erë të padurueshme, ta bënin kudo ku kishte godina qeverie. Socialistët duhet të vijnë era m.t dhe jo era parfum i vjedhur, sa kohë m.t e kanë bërë qeverinë!
Kështu, në Shqipëri, me këtë akt masiv të padëgjuar më parë, do të shënohej lëvizja e parë e mosbindjes civile që do vinte era m.t dhe demokraci njëerësh.
E pra mos rrini si bufër, por shkoni ngarkoni kamionët e Zenit jo me boronica por me m.t!
Por Sala, Muli, Luli dhe Mona nuk duan të bëjnë këtë sakrificë që vjen aromë e parfumit “mosbindje civile”, se ata përdorin tjetër markë. Ata e bëjnë luftën pasi rruhen, kruhen, depilohen e parfumosen në shtëpitë dhe vilat 5-10 mijë euro/m². Ndaj dhe shpresojnë të nxjerrin në “betejë” me pushkë druri babanë e Stresit me disa derdimenë që këndojnë ende pas 30 vjetësh këngën “Liri Berisha – Demokraci”.
Nesër është 7 tetor, dita simbolike e Hamas kundër Izraelit. Pritet që në këtë njëvjetor Izraeli të sulmojë Iranin, ose Hezbollah-u me gjithë Huthët t’i hidhen në fyt me raketa Tel Aviv-it.
Në Tiranë, Muli do t’i turret Nikos, Zeni do të sulmojë Elisën, ndërsa Gjekmarkaj do t’i ngulë një ushtë Edi Ramës.
Një tufë karagjozësh do të nisen nga shtëpitë e tyre 500 mijë euroshe për të prirë në mosbindje civile.
Muli do të niset nga pallati me valë deti buzë liqenit për të organizuar protestën jocivile. Shtëpia e tij 3+2 kushton sot 800 000 euro, në pallatin që ndërtoi biznesmeni socialist Ardian Resulaj me ndihmën e “lejes” që i dha demokrati Gramoz Ruçi. Pinjollët e Ruçit dhe Berishës kanë pjesën e tyre në këtë godinë fantastike të kryeqytetit. 30 metra përballë saj shtrihet një kompleks banimi akoma dhe më i bukur, me pishinën Nobis në mes. Aty ku Niko Peleshi, Engjëll Agaçi, Ilirian Celibashi, Fatmir Mediu, Ridvan Bode e plot hallexhinj të tjerë shkrythin kockat çdo mëngjes në dyshekët 10 mijë eurosh dhe gogësijnë kur dalin ajrin e pastër të Liqenit Artificial.
Sarajet e Edi Netanyahu-t në Surrel do të përplasen nesër me vilat e Sali & Ilir Hamasit në Lalëz. Të gjithë do të mbajnë frymën tek mosbindja e tyre civile. Muli, me ushtë 800 mijë euro në dorë, do të prijë 500 000 mijë demokratë dhe 300 000 mijë socialistë që s’kanë bukë të hanë dhe parfum të hedhin e do të shporrin pushtuesin që vjen era krim.
Dash Shehi tha në një emision ditë më parë: “Po pse nuk e dinë amerikanët që përgjojnë gjithë botën se ç’jemi e ç’bëjmë ne?”
Dashi ka të drejtë. Jankit shohin dhe dëgjojnë çdo gjë. Ata po shohin dhe dëgjojnë Mulin, Salën, Zenin, Liken… nga ana tjetër, Edin dhe policët e tij të përzgjedhur me konkurs dhe po mendojnë të habitur: “Vallë, ky popull që ka ngrënë bar për 50 vjet, mos po i pëlqen të hajë m.t tani që sheh këta milionerë të parfumosur që dalin e përmjerin sheshet në emër të tij?”