Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kthyer në një bllokues kryesor të avancimit të procesit të dialogut Prishtinë-Beograd, ndërsa është kërkesa kryesore e ndërkombëtarëve për Kosovën në përpjekjet e tyre për të zgjidhur ngërçin e hershëm mes dy vendeve.
Por ndërsa SHBA-ja e BE-ja janë në një linjë në insistimin e tyre në këtë pikë, Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington i dha të drejtë të Kosovës në raportin e tij të publikuar së fundit, i cili del në përfundimin se kërkesat ndaj Prishtinës për të themeluar bashkësinë e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, u shpreh se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe zgjidhja sipas tij, mund të jetë vetëm rruga kushtetuese.
“Kushtetuta e Kosovës paraqet një proces në bazë të së cilit vetëm komunat kanë autoritetin për të krijuar asociacione. Pra, nëse ato e duan një të tillë, sipas analizës që i kemi bërë Kushtetutës së Kosovës, atëherë le ta krijojnë. Ato mund ta krijojnë asociacionin në çdo moment që dëshirojnë, pavarësisht asaj që thotë komuniteti ndërkombëtar, autoritetet shtetërore të Kosovës apo qeveria e Serbisë, apo pavarësisht dialogut. E kanë autoritetin ta bëjnë një gjë të tillë që tani, sipas kushtetutës së Kosovës. Një pikë e rëndësishme e raportit tonë është që komunat kanë kompetencat për krijimin e asociacionit. Por në mënyrë që komunat ta bëjnë këtë veprim, duhet të kenë zyrtarë të zgjedhur dhe kjo do të thotë që komuniteti serb vendas duhet të marrë pjesë me kandidatë në zgjedhje. Ata kanë bojkotuar zgjedhjet, kryesisht të nxitur nga Beogradi gjatë viteve të fundit”, tha Steinbaum.
Ndonëse ajo së cilës ai i referohet si rruga kushtetuese” është anashkaluar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Steinbaum nuk mendon se këtu ka diçka në prapaskenë.
“Mendoj se janë të gjithë njerëz të vullnetit të mirë. Mendoj se duan që ta ndihmojnë një komunitet të themelojë një asociacion, të cilin ata thanë se e duan dhe kjo nuk është gjë e keqe. Këta njerëz ia duan të mirë Kosovës dhe njerëzve që jetojnë në këto qytete në pjesën veriore. Por mendoj se është mbase më me vend për Shtetet e Bashkuara që t’i përmbahen sundimit të ligjit, të ndjekin Kushtetutën, për të cilën, të jemi të sinqertë, ndihmuan që të hartohet”, tha Steinbaum.