Fernanda, pastruese nga Rio de Janeiro, liston sendet shtëpiake që është detyrua të shesë për të ushqyer vesin e saj të bixhozit online, i cili është kthyer në një epidemi në Brazil disa vjet pas lejimit nga autoritetet, shkruan rrjeti AFP.
“Humba gjithçka, shita gjithçka që kisha në shtëpi,” thotë 34-vjeçarja, emri i të cilës është ndryshuar për të fshehur identitetin.
Gjashtë vjet pasi Brazili legalizoi bastet e sporteve online, ekonomia më e madhe e Amerikës latine përballet me atë që ministri i financave Fernando Haddad quante “pandemi,” duke detyruar qeverinë të ndërhyjë.
Zyrtarët vendas thonë se 24 milionë nga popullata prej 212 milionë njerëz në Brazil, pra afërsisht një në çdo nëntë njerëz, vendosin baste me shpresë se mund të fitojnë në gara sportive apo lojrat elektronike që ofrohen në rrjet.
Fernanda thotë se ka humbur shumicën e parave të saj në lojën ‘Aviator’, ku lojtarët vendosin baste “mbi fluturimin e një avioni virtual”.
Kompanitë e basteve tashmë sponsorizojnë skuadrat më të mëdha të sporteve në Brazil dhe rrjetet televizive janë të mbushura me reklama bixhozi me fytyra të njohura të sportit si sulmuesi brazilian i Real Madrid, Vinicius Junior.
Pas daljes në dritë të problemit të rëndë qeveria po ndërhyn, pasi ekspertët deklaruan se epidemia po dëmton rëndë shëndetin mendor dhe financat te popullatës, si dhe po shton pastrimin e parave nga kompanitë e basteve.
Kazinotë dhe bastet ishin ndaluar në Brazil prej vitit 1941, por kthesa erdhi në 2018 kur bastet u lejuan përsëri me kushte “rregulli dhe taksimi për të ardhurat”.
Hermano Tavares drejton një qendër ndihme për të varurit nga bixhozi në spitalin e Sao Paulo teksa thotë se numrat e pacientëve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit./AFP/