Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sulmoi Izraelin në sytë e Kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili ishte në Stamboll për një vizitë shtetërore.
“Izraeli po i vijon masakrat mizore, Netanyahu po i vijon ato. Aq shumë drejtues po bëhen martirë saqë duket se po e bëjnë për qejf. Perëndimi po feston. Duke nisur nga sjellja e Shteteve të Bashkuara nuk ndryshon shumë dhe po vazhdojnë në të njëjtën mënyrë. Për Izraelin nuk është fare punë e vështirë për të marrë armë, municione, makina dhe mjete të tjera. Me këto mjete Izraeli vijon maskarat në rajon”, tha Erdogan.
Situata në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë e tensionuar për shkak të konflikteve me Hamasin dhe Hezbollahun. Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Hezbollahut, duke shkaktuar evakuime masive në Liban. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli po parandalon kërcënimet dhe se forcat e tij kanë shkatërruar dhjetëra mijëra raketat e Hezbollahut.
Rezidenca private e kryeministrit Benjamin Netanyahu ishte shënjestër e një sulmi me dron nga Libani më herët këtë mëngjes. “Një dron u nis drejt shtëpisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në qytetin verior izraelit të Kaesarea të shtunën”, deklaroi zëdhënësi i tij, duke shtuar se kryeministri dhe bashkëshortja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e sulmit dhe se nuk kishte të lënduar në incident,.
Më herët, ushtria izraelite tha se një dron ishte nisur nga Libani dhe se kishte goditur një ndërtesë, por pa dhënë detaje se për çfarë ndërtese bëhej fjalë. Dy dronë të tjerë të nisur nga Libani mëngjesin e sotëm u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, duke shkaktuar sirena në zonën e Tel Avivit.
Sipas shërbimit izraelit të ambulancës dhe policisë shpërthime ishin dëgjuar në Kaesarea, qytet bregdetar ku Netanyahu ka një shtëpi pushimi. Sulmi me dron nuk u mor përsipër menjëherë nga grupi libanez i mbështetur nga Irani Hezbollah, i cili ka shkëmbyer zjarrin me Izraelin që nga tetori i kaluar, ose ndonjë grup tjetër militant. Mendohet se kjo mund të ketë qenë një tentativë e Hezbollahut në Liban për hakmarrje të vrasjes së liderit të Hamasit, Jahja Sinuar, në Rripin e Gazës.