Një koktej droge sintetike i njohur si “kokaina rozë”, është kthyer në shqetësim të madh në Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë. Në muajin shtator, autoritetet spanjolle kryen kapjen e tyre më të madhe ndonjëherë të drogës sintetike, duke sekuestruar një sasi të madhe kokaine rozë së bashku me më shumë se një milion pilula ekstazi. Operacioni kishte në shënjestër rrjetet e drogës në Ibiza dhe Malaga. Kjo substancë e rrezikshme është lidhur me vdekjet e shtuara nga droga. Përbërja dhe popullariteti në rritje i “kokainës rozë” kanë nxitur thirrje nga organizatat evropiane për të adresuar rreziqet që droga paraqet.
Pavarësisht nga emri i saj, kokaina rozë nuk përmban domosdoshmërisht kokainë. Në vend të kësaj, ka një përzierje e substancave të tjera të ndryshme, duke përfshirë MDMA, ketaminë dhe 2C-B. MDMA, e njohur zakonisht si ekstazi, është një stimulues me veti psikodelike, ndërsa ketamina është një anestetik i fuqishëm që ka efekte qetësuese dhe halucinogjene. Drogat “2C” klasifikohen si psikedelikë, por ato gjithashtu mund të prodhojnë efekte stimuluese.
E gjetur zakonisht në formë pluhuri ose pilula, kokaina rozë është e njohur për ngjyrën e saj të gjallë, e cila është krijuar për të rritur tërheqjen e saj vizuale. Droga është rozë pasi përdoret ngjyrosës ushqimor. Forma origjinale psikodelike e drogës daton në vitin 1974 dhe u sintetizua për herë të parë nga biokimisti amerikan, Alexander Shulgin. Por varianti modern u shfaq rreth vitit 2010 në Kolumbi.
Droga fitoi popullaritet në skenën e festave në Amerikën Latine dhe tani është përhapur në Evropë. Emrat e zakonshëm për kokainën rozë ndryshojnë shumë, nga “cocaina rosada” dhe “tuci” tek “Venus” dhe “Eros”.
Ruletë ruse
Kokaina rozë e sotme është një përzierje e paparashikueshme substancash dhe pikërisht këtu qëndron pjesa më e madhe e rrezikut të saj.
Përdoruesit shpesh presin një stimulues të ngjashëm me kokainën, por përfshirja e ketaminës mund të çojë në rreziqe serioze për shëndetin. Abuzimi me ketaminën mund të çojë në humbje të vetëdijes. Ekspertët krahasojnë marrjen e kokainës rozë me lojën e “Ruletës Ruse” pasi nuk dihet asnjëherë me çfarë substancash është përpliuar. Droga është përhapur përtej Ibiza-s në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka prova që ka fituar “famë” edhe në Skoci. Përtej Atlantikut, Neë York City ka parë gjithashtu një rritje të përdorimit të kësaj droge.
Zyrtarët shëndetësorë në të gjithë Evropën janë të alarmuar. Kokaina rozë është e vështirë të zbulohet përmes testimit standard të drogës, veçanërisht në Spanjë. Droga shitet për rreth 100 dollarë për gram (76 £) në Spanjë.
Në Angli, kokaina rozë bie nën Aktin e Keqpërdorimit të Drogave të vitit 1971 , i cili i klasifikon drogat në tre kategori, klasën A, B dhe C , bazuar në dëmin e perceptuar. Ndërsa vetë kokaina rozë mund të mos jetë e listuar në mënyrë eksplicite si drogë, substancat që gjenden zakonisht në të, kontrollohen nga ligji. MDMA dhe 2C-B janë barna të klasit A, ndërsa ketamina është një klasë B.
Reduktimi i dëmit
Një nga nevojat më urgjente të theksuara nga rritja e kokainës rozë është për shërbime të aksesueshme të kontrollit të drogës.
Popullariteti në rritje i kokainës rozë është një kujtesë e qartë e peizazhit gjithnjë në ndryshim të drogave të paligjshme, ku estetika, tendencat e mediave sociale dhe sjellja e rrezikshme mund të kombinohen për të krijuar kërcënime të reja. Ndërsa kokaina rozë vazhdon të përhapet nëpër Evropë dhe më gjerë, është thelbësore që autoritetet, shërbimet shëndetësore dhe publiku të jenë të informuar lidhur me rreziqet që ajo paraqet.