Real Madrid nuk “vdes” kurrë, përmbysja është kthyer në një dukuri normale për ekipin e Carlo Ancelottit, e bënë sërish diçka të tillë, këtë herë kundër B.Dortmund duke dalë me 3 pikë pas suksesit 5-2. Në “Bernabeu” u zhvillua një ndeshje e çmendur, ku protagonisti i madh ishte Vinicius jr, autori i një “triplete”, e para për të në Champions League.
Në mënyrë të papritur, Reali e gjeti veten në dizavantazh të dyfishtë brenda 34 minutash, ku Malen dhe Gittens realizuan 2 gola brenda 4 minutave.
Me fillimin e pjesës së dytë, Reali iu përgjigj në të njëjtën formë, fillimisht Rudiger në minutën e 60-të, ngushtoi shifrat në 1-2 me një goditje të saktë me kokë, ndërsa 2 minuta më pas Vinicius jr barazoi shifrat në 2-2.
Dortmumd u përpoq të merrte veten duke ruajtur me fanatizëm portën deri në minutën e 83-të, ku Lucas realizoi një gol të bukur duke kaluar Realin për herë të parë në avantazh. Ekipi i Ancelottit nuk u mjaftua me kaq, por dolën në lojën e tyre me Vinicius i cili me dy zbritje të shpejta realizoi edhe dy gola të tjerë duke plotësuar kryeveprën e tij personale, një “tripletë” të artë.
Reali del me 3 pikë nga ndeshja e 3 e fazës së Ligës, 6 pikë në total, ndërsa tifozët së bashku me Carlo Ancelotti shijuan një ndeshje të bukur futbolli, por tekniku pasi kritikoi ekipin e tij për mënyrën se si e nisën ndeshjen, u ndal te perfomaca fantastike e Vinicius jr:
“Është e pabesueshme që një lojtar të ketë një pjesë të dytë si ai. Unë mendoj se Vinicius do ta fitojë Topin e Artë, jo për golat që realizoi këtë mbrëmje, por për atë që bëri sezonin e fundit”.
Suksesi 5-2 i Real Madrid kundër finalistëve të sezonit të fundit në Champions “pushtoi” faqet e para të mediave spanjolle: “Përmbysje brutale”, shkruan AS. “Vinicius është i artë”, ishte titulli i përzgjedhur nga Marca.