Rikthimi i Vllaznisë në “Loro Boriçi” pas më shumë se një muaji, duket se ka ngjallur edhe interesin e tifozerisë. Mbështetësit e zjarrtë kuqeblu kanë pasur mundësi ta ndjekin ekipin e tyre vetëm nga televizori në 3 javët e fundit, përjashto këtu një përqindje të vogël që e ka shoqëruar ekipin nëpër transferta.
Vllaznia nuk i ka zhvilluar ndeshjet e fundit në Shkodër për shkak të kalendarit, por edhe mbjellës së barit në stadium, fakt që i ka detyruar 9 herë kampionët e vendit të “shtegtojnë”. Por java e 10-të e Superiores, që përkon me nisjen e fazës së dytë i gjen kuqeblutë në shtëpinë e tyre. Përballë do të jetë Partizani, një kundërshtar jo vetëm historik, por edhe i sezonit aktual.
Prandaj edhe interesi i tifozëve të Vllaznisë është i madh në prag të kësaj sfide. Të organizuar do të jenë edhe tifozët ultras të Vllaznisë, që para pak javësh patën një përplasje me drejtuesit për pozicionimin e tyre në tribunat e stadiumit. Edhe çmimet e biletave të nxjerra në treg nga klubi janë me të vërtetë të favorshme për tifozët.
Që sot në “Loro Boriçi” pritet të jenë në numër të konsiderueshëm, ku patjetër nga çfarë mësohet të pranishëm në stadium do të jenë edhe tifozët miq të Partizanit. Duhet shtuar se gjendja e fushës është thuajse perfekte, pavarësisht se dje në “Loro Boriçi” luajti kombëtarja e vajzave.