Sot është ndarë nga jeta një nga figurat më të dashura dhe legjendare të futbollit vlonjat. Skënder Brahimaj u lind në 19 Shtator 1936, në Lepenicë të Vlorës. Në moshën 17-vjeçare nisi karriera e tij futbollistike me ekipin e Flamurtarit. Në vitin 1962 u shpall një nga 10 futbollistët më të mirë të Shqipërisë. Karriera e tij futbollistike zgjati 20 vite. Më pas ai shërbeu si trajner futbolli dhe mësues i edukimit fizik.
Në mesin e viteve 80’, Skënder Brahimaj emërohet trajner i ekipit të Tepelenës. Ishte pikërisht aty ku ai zbuloi, përgatiti dhe ndihmoi në karrieren e tij, talentin Fotaq Strakosha.
Gjatë viteve ‘90-2000, Skënder Brahimaj ka marrë në dorë drejtimin e ekipit të Flamurtarit, disa vite si trajner e më pas edhe si Shef i Klubit Flamurtari. Profesor Skënder Brahimaj ka edukuar e përgatitur shumë breza futbollistësh të mirënjohur, si Uran Xhafa, Gezim Troqe, Cane Ahmeti, Kreshnik Çipi e së fundmi Fotaq Strakosha.
Pasioni dhe përkushtimi për sportin e futbollit e ka e kthyer Skënder Brahimaj në një nga legjendat e këtij sporti, në qytetin e Vlorës dhe jo vetëm.