Në Tiranë, 50% e personave të cilët jetojnë në kryeqytetin shqiptar, mendojnë se të gjesh një vend të mirë pune, është në fakt e lehtë. Një perceptim tërësisht i ndryshëm nga qytete të mëdha evropiane, si Roma, ku kjo normë është më e ulëta në Evropë.
Kështu ka zbuluar një sondazh, i cili ka mbuluar vendet e Bashkimit Evropian, por edhe vendet kandidate për në BE, ka zbuluar se në një pjesë të madhe të qyteteve evropiane, më pak se gjysma e banorëve mendojnë se është e lehtë të gjesh punë.
Mirëpo, rasti nuk është i tillë për Tiranën, pasi përqindja është ekzaktësisht gjysma e banorëve, të cilët mendojnë se një punë e mirë, gjendet thjeshtë.
Sërish kjo është larg vendeve të para dhe vetë kryeqyteti shqiptar renditet i 22-i nga 35 kryeqytete evropiane.
Nëse merren parasysh kryeqytetet, Praga e ka perceptimin më të lartë, ku 79% e banorëve mendojnë se e kanë të thjeshtë të gjejnë një punë të mirë. Pasojnë Bratislava me 72%, Oslo me 69% dhe Stockholmi me 68%.
Nga ana tjetër, Roma ka një normë shumë të ulët, me vetëm 20%, Athina me 21% dhe Madridi me 24%.
Tirana, me 50%, radhitet e 22-a ndër 35, i cili është një rezultat jo negativ, nëse merret parasysh se kryeqytete të mëdha evropiane, si Parisi, Londra, apo edhe Berlini, shkojnë në 61% dhe 57%.
Sa i takon rajonit, perceptimi i tiranasve për mundësinë e gjetjes së punës është më e larta, ku Beogradi ndjek me 38%, Shkupi me 36% dhe Podgorica me 26%, ndër qytetet e marra parasysh nga studimi.