Shqipëria është një nga vendet e rralla në botë, ku opozita akuzohet si më e korruptuar dhe e urryer, se vetë Qeveria.

Këtë gjë madje, tashmë e pranojnë edhe në PD.

Gruaja e Aldo Bumçit, Ilda Zhulali, ka bërë një shënim pas dështimit të protestës së të hënës, ku ironizon faktin se pse opozita është e urryer në Shqipëri, më shumë se Qeveria.

“S’ka rëndësi çfarë ha, çfarë pi, si jeton – rëndësi ka të urresh opozitën.

S’ka rëndësi që s’ke ilaçe në spital, që s’të del rroga dhe pensioni – e rëndësishme është të urresh opozitën.

S’ka rëndësi që qeveria të vjedh, të mashtron, të shkatërron shtëpinë – rëndësi ka të urresh opozitën.

S’ka rëndësi që fëmijët t’u bënë ushtarë të krimit, që po të ikin pa kthyer kokën pas – e rëndësishme është të urresh opozitën.

S’ka rëndësi që të mbytin plehrat, që të helmon ajri, të asfikson betoni – e rëndësishme është të urresh opozitën.

S’ka rëndësi që të tallin, të blejnë, të shesin, si çamçakiz që mbllaçitet e pështyhet – e rëndësishme është të urresh opozitën.

Se Edi Rama është edhe gjellë, edhe bukë, edhe raki rrushi, kurse ti… ti i lutesh Zotit të të heqë një sy, mjafton t’ia heqë të dy sytë opozitës.

Shpalleni opozitën herezi dhe vdisni më në fund të lumtur”, shkruan ajo.