Nga Mero Baze
Gjithë përpjekja për të mbajtur në këmbë moralin e Ilir Metës dhe Sali Berishës është kërcënimi për kreun e SPAK Altin Dumani. Nuk po flas për gjuhën linçuese të Ilir Metës dhe Berishës, por për premtimin se çfarë do ti bëjnë atij në të ardhmen.
Gjatë seancës së djeshme ballafaquese në gjykatë, Ilir Meta u citua ti ketë thënë në sallë “Dumdumani qen” dhe kjo e kishte ekzaltuar aq shumë Sali Berishën majë penxheres, sa në mbrëmje ua dha këtë si sihariq shqiptarëve.
Marrëzia shkoi më tutje dhe axhenda ditore e kryeprokurorit për takim me një delegacion britanik u paraqit si dorëzim i tij përball Ilir Metës.
Pra e gjithë beteja e 24 orëve të fundit është linçimi i Altin Dumanit dhe premtimi që ai në të ardhmen do ta pagauj shtrenjte këtë që po bën.
Qetësia e Altin Dumanit në këtë rast është e admirueshme, pasi ka përvojën e tij si prokuror, pasi është mësuar me zemërimin e çdo të pandehuri gjithë jetën.
Por ajo që ka rëndësi për publikun është që dy ish presidentët dhe dy ish kryeministrat e Shqipërisë, në momentin e tyre final të ballafaqimit me drejtësinë, të vetmen arsye për tu dukur ende të fort, pasi u janë zbuluar milionat e vjedhura, kanë faktin që po linçojnë dhe do hakmerren në të ardhmen ndaj kryeprokurorit që po i çon pas hekurave.
Sido që ta gjykojmë ne krimin e tyre të korrupsionit madhor, kapjen e shtetit apo pasurimin e familjarëve të tyre, është shumë herë më i vogël se krimi që këta kanë konsumuar me votën dhe mbështetjen tonë, atë të qenit kryeministër dhe president i këtij vendi.
Këta nuk janë udhëheqësit e parë shqiptarë që dënohen.
Është dënuar si President dhe Ramiz Alia, si kryeministër dhe Fatos Nano apo Vilson Ahmeti, por askush prej tyre nuk ka kërcënuar prokurorët apo gjyqtarët në sallë. Policët jo e jo, duke bërë si rrugaçë lagjeje.
Askush prej tyre nuk kërcënoi asnjë gjykatës a prokuror, që me thënë të drejtën prokurorët e Fatos Nanos meritonin dhe të përbalteshin për mënyrën se si përdoreshin politikisht.
Shembulli që po japin dy ish kryeministrat dhe ish presidentët e këtij vendi, duke përdorur një gjuhë degraduese ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme, dhe akoma më shëmtuar shantazhi për të ardhmen fizike të tij, i bën atë shumë herë më fajtorë, se sa krimi i vjedhjes dhe zhvatjes së Shqipërisë.
Hajdut ky vend ka dhe ka pasur plot. Ilir Meta me Sali Berishën vetëm sa shtojnë numrin e tyre, në këtë rast si hajdutë të kapur. Por President dhe kryeministra nuk kemi aq shumë që ti kemi kaq të paskrupullt.
Mënyra se si ata po shantazhojnë dhe kërcënojnë Altin Dumanin, tregon se ata kanë kuptuar humbjen e mbështetjes politike , braktisjen nga shqiptarët, zhveshjen nga autoriteti i njerëzve të parë të këtij vendi dhe po sillen si gangsterë me shpresën e fundit se do trembin drejtësinë.
Me sa duket nuk janë të qartë që janë për rrugë të gjatë dhe nuk do kenë as kohë fizike të jenë të lirë të përballen në rrugë me Altin Dumanin dhe shokët e vet.
Shqipëria më shumë se sa po gjykon dy hajdutë të paskrupullt, është duke gjykuar historinë e saj, është duke gjykuar banalitetin, llumin, mediokritetin, primitivizmin dhe mbi të gjitha mungesën e fisnikërisë së elitës politike shqiptare që mishërohet në portretet e dy ish kryeministrave dhe dy ish presidentëve që kanë dominuar historinë e paskomunzimit në Shqipëri, Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Të dy “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës” më shumë si çnderues të Shqipërisë, se sa si zhvatës të saj./Tema