Tiranë, 10 tetor – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Presidenti i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Erol Özvar, nënshkruan sot “Protokollin ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë për hapjen e degës dhe programeve nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.” Protokolli i përbashkët u nënshkrua në kuadër të vizitës së Presidentit të Republikës të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në vendin tonë.
Ky protokoll shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Ky bashkëpunim do të vijojë më tej me nënshkrimin e marrëveshjes, e cila do të përcaktojë funksionimin e degës së këtij universiteti në Shqipëri.
Universiteti Teknik i Stambollit është një nga universitetet më të mira teknike në Evropë në fushën e inxhinierisë, teknologjisë dhe shkencave natyrore dhe që ofron me një gamë të gjerë programesh akademike.