Ilir Meta është një ndër “banorët” më të rëndësishëm të paraburgimit Jordan Misja ose sic njihet ndryshe burgu 313 në Tiranë. Për shkak të pozicioneve të rëndësishme që ka mbajtur në drejtimin e vendit, si president, kryeminister, kryeparlamentar dhe disa herë ministër, Meta tashmë nën arrest nën dyshimet për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash, është duke qëndruar në një sektor të burgut nën masa të posacme sigurie.
Për të është parashikuar një plan i detajuar për të shmangur cdo incident për jetën e ish-kreut të shtetit. Përgjatë këtyre ditëve të qëndrimit, dy prej të cilave në qelinë e observimit, Meta ka kërkuar të lejohet për të dalë në ambjentin sportiv që të ushtrohet në stërvitje. Po ashtu ka kërkuar letra dhe stilolaps, me qëllim që të komunikojë mesa duket për cështje të rëndësishme me djalin e tij Besarin dhe të besuarit e tij në Parti.
Mësohet se ka qenë avokati i tij, Genc Gjokutaj që ka zhvilluar takime me ish-presidentin dhe ka shkëmbyer letrat. Ai ka dërguar letra nga i biri dhe prej andej ka nxjerrë letrat e Ilir Metës. Edhe pse përmbajtjet e letrave mbahen tejet sekret, mesa duket ish-presidenti ka vendosur të komunikojë në këtë mënyrë, për cështje të rëndësishme që lidhen me akuzat, strategjinë e mbrojtjes, por edhe mënyrën sesi do të drejtohet partia e Lirisë gjatë kohës që ai do të jetë në paraburgim. Vec Gjokutajt takim me Ilir Metën ka marrë dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i cili sipas procedurës ka komunikuar me të, nëse kishte ndonjë kërkesë apo shqetësim lidhur me qendrimin në qeli. Burimet thanë se Meta nuk ka shfaqur asnjë shqetësim.
Javën e ardhshme SPAK do të firmosë lejen që Ilir Meta të zhvillojë takime me familjarët. Fakt është që kurrsesi ish-presidenti nuk do të pranojë takime me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila po ashtu është nën hetim dhe nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.