Ardian Ismajli po kalon momentin më të mirë të karrierës. Përveçse është kthyer në një titullar të padiskutueshëm tek Empoli, mbrojtësi po spikat mes më të mirëve në Serinë A.
Shqiptari shpesh është zgjedhur në formacionin e javës në këtë fillim sezoni, duke bërë që në gjurmët e tij të vihen disa klube.
Prej ditësh përflitet për një interesim konkret të Juventusit, që dëshiron të afrojë në merkaton e janarit, pasi humbi mbrojtësit Bremer për shkak dëmtimi.
Por, duket se torinezët nuk janë të vetëm në garë për Ismajlin. Futbollisti kuqezi ka përfunduar edhe në orbitën e Interit, sipas raportimeve nga mediat pranë klubit milanez.
Zikaltërit do të humbasin në fund të sezonit dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Accerbi dhe De Vrij, prandaj kanë nisur nga puna për të gjetur një zëvendësues.
Ismajli pëlqehet nga drejtuesit, për shkak të sigurisë që jep në prapavijë, por edhe për faktin se klubit nuk do i duhet të paguajë ndonjë shifër shumë të lartë.
28-vjeçari është futur në vitin e fundit të kontratës me Empolin, me të cilët gjithashtu është në bisedime për rinovimin.
Në rast transferimi tek Interi, Ismajli aty do të gjente një tjetër shqiptar si Kristjan Asllani, i cili është pjesë e zikaltërve prej tre sezonesh.