Kadastra Shqiptare ka reaguar në lidhje me aksionin e Policisë që sot zbuloi 150 bimë kanabisi brenda një magazine. Në reagimin publik të bërë nga Kadastra, institucioni distancohet nga aktiviteti që zhvillohej brenda godinës.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës falënderon Policia e Shtetit për transparencën në njoftimin e saj lidhur me ngjarjen e ndodhur në zonën e Selitës. Shprehim keqardhje për dezinformimin e përhapur nga disa portale dhe përfitojmë nga rasti të sqarojmë se ASHK nuk ka asnjë lidhje me magazinat apo ambientet e përmendura në këto lajme,”- thuhet në reagimin publik të Kadastrës Shqiptare.
Gjurmët e një shtëpie bari në Tiranë, u zbuluan nga ish-deputeti i Partisë Demokratike (tani këshilltari bashkiak i Partisë Socialiste), Halit Valteri. Tashmë me detyrë të re në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Valteri shkoi të shohë nga afër një nga magazinat e agjencisë në rrugën Hamdi Pepa” në zonën e Selitës në Tiranë, ku edhe vuri re aktivitetin e paligjshëm që zhvillohej në godinë. Deri tani janë shoqëruar 6 persona që mund të ndihmojnë hetuesit të zbardhin rrethanat e kultivimit të 150 bimëve të kanabisit.