Zëvendeskryeministri, njëherazi edhe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daci i rezervoi një përshëndetje mjaft të veçantë presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Numri dy i qeverisë serbe ka marrë mikrofonin e ka kënduar përpara kreut të shtetit turk këngën “Osman aga” në një drekë të shtruar në Pallatin e Serbisë pikërisht për nder të Erdoganit.
Në videon amatore, të shpërndarë në rrjetin social X, Daçic shihet duke kënduar në shoqërinë e një orkestre, ndërsa në sfond në tryezën festive janë ulur anëtarët e Qeverisë Goran Vesic, Zoran Gajic dhe Usame Zukorlic. Tavolina në të cilën janë ulur i ftuari i nderit nga Turqia Erdogan dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçic, shfaqet vetëm shkurt në pamje. Të njëjtën këngë, duket se Dacic ia ka kënduar presidentit turk edhe gjatë vizitës së tij në Beograd në vitin 2017.
Daçic ka kënduar disa herë deri më tani në dreka apo darka të mbajtura për nder të disa shtetarëve të huaj gjatë ndalesave në Serbi, ndaj performance e tij është kthyer si gati në pjesë të pandashme të mbrëmjeve joformale me zyrtarë të huaj. Erdogan zhvilloi të enjten dhe të premten një vizitë zyrtare në Serbi, gjatë së cilës u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
Ai pohoi në Beograd se dy vendet kanë vendosur të punojnë së bashku për t’i zhvilluar industritë e veta të mbrojtjes, ndërsa njoftoi gjithashtu se pjesë e bashkëpunimit të tyre do të jenë edhe dronët turq që do t’i dhurohen Serbisë. “Turqia dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa së bashku, por këta hapa janë formimi i përbashkët i një industrie të mbrojtjes, për të garantuar paqe”, ishte komenti i Erdoganit.