Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një konferencë të zhvilluar ditën e sotme me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, ngriti shqetësimin e saj ndaj përdorimit të padive si mjet për të heshtur fjalën e lirë dhe për të frikësuar gazetarët.
Si Kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Tabaku theksoi angazhimin e saj për të çuar përpara këtë çështje, duke bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile dhe median, për të siguruar se thënia e së vërtetës në Shqipëri nuk do të jetë luks, por një e drejtë e patjetërueshme.
“Patëm sot një diskutim me organizata të shoqërisë civile, me përfaqësuesit e medias , për të hapur një diskutim kombëtar sesi mund të evitojmë autocensurën, sesi mund ti mbrojmë gazetarët për të thënë të vërtetën, sesi mund të stimulojmë që në Shqipërinë e 2024 , thënia e së vërtetës mos të jetë tabu, mos të jetë luks por të jetë një e drejtë reale që e ka kushdo” shkruan Tabaku.
Tabaku thekson se sot duhet që të luftohet që askush të mos ketë forcën për t’i kërcënuar mediat.
“Ambienti i medias është bërë mbytës e ne duhet të luftojmë çdo ditë ashtu si luftojmë për çdo gjë tjetër, duhet të luftojmë dhe për lirinë e fjalës që askush mos të ketë forcën dhe kërcënimin e një padie për ti kërcënuar mediat, për të mbyllur mediat e për ti ndaluar ato për të denoncuar çdo ditë si kanë bërë deri më sot. Unë këtë angazhim e mora qartësisht si Kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe do vazhdoj ta çoj deri në fund, ashtu si çdo iniciativë tjetër që kam marrë”, thotë ajo.