Qeveria shqiptare po propozon një projektligj mbi riorganizimin e sistemit shkencor, ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore do të jenë një Ministri e re dhe Akademia e Shkencave.Në dokument planifikohet lindja e një Ministrie të posaçme, përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor. Si dhe krijimi i një organi këshillimor pranë kryeministrit në emrin Këshilli Kombëtar për shkencën dhe kërkimin shkencor, i cili synon përmirësimin e veprimtarisë kërkimore në vend. Në përbërje, ky këshill do të ketë 7 ministra të fushave të ndryshme, por edhe 4 përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë, teksa do të jenë pjesëmarrës edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe 3 anëtarë të Akademisë, si dhe përfaqësues të Agjencive të Inovacionit.
Ministri i shkencës do të ketë për detyrë hartimin e strategjisë në këtë sektor si dhe të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor; teksa në ndihmë të tij do të jetë këshilli me 19 anëtarë i drejtuar nga kryeministri, me bashkëpunimin edhe të ministrit të bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes, energjisë, mjedisit, inovacionit. Teksa për përzgjedhjen e anëtarëve të universiteteve në këtë bord, është vendosur kusht që të jenë personalitete të njohur akademikë. Mirëpo kompetencat e tyre do të ndryshojnë në krahasim me ligjin për arsimin e lartë, ku gëzonin autonomi universitare në veprimtarinë shkencore.
“Fushat, drejtimet, vëllimi i punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë”, thotë ligji i arsimit të lartë, ndërsa me projektligjin e ri parashikohet që përgjegjësia t’i kalojë ministrisë, Akademisë se Shkencave dhe këshillit shkencor. Pra, pritet të ndryshojnë kompetencat për drejtuesit e fakulteteve, pedagogët, senatet e universiteteve publike dhe private, të cilat do të jenë nën monitorimin e institucioneve politikbërëse.
Nëse do të ketë kërkesë për krijimin e institucioneve të veçanta për kërkimin shkencor veç universiteteve, Akademisë së Shkencave, parqeve teknologjike apo qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore, vendimin e merr ministri përgjegjës i cili jep lejen përkatëse. Ministri për shkencën do të ketë fuqi edhe për pezullimin apo mbylljen e tyre, kur vihen re nga monitorimi mospërmbushje të kritereve e ka vlerësim negativ. Ndër të tjera, do të krijohet edhe regjistri kombëtar i institucioneve dhe kërkuesve shkencorë, brenda dy viteve nga miratimi i ligjit.