Në dosjen e SPAK për ish-presidentin Ilir Meta, i cili akuzohet ndër të tjera se ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, është administruar edhe një sms që duket se Meta i ka dërguar vetë administratorit të kompanisë DIA, Kastriot Ismailajt.
“Në kuadër të hetimit, është bërë këqyrja dhe marrja e akteve nga fashikulli i procedimit penal Nr. 978 i vitit 2008 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, i administruar në kuadër të procedimit penal Nr.6381 të vitit 2014 të kësaj Prokurorie. Ndër të tjera është administruar kopje e procesverbalit të transkriptimit të bisedave telefonike e datës 28 Qershor 2009, ku ndër të tjera rezulton se në datën 22 Qershor 2009 ora 17:27:21, nga numri i telefonit 0682031701 në përdorim në atë kohë nga personi nën hetim Ilir Metaj, është dërguar një sms drejt numrit 068 20 09 693 në atë kohë në përdorim nga Kastriot Ismailaj me përmbajtje “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, shkruhet në dosje.
Për këtë çështje është dënuar edhe nga Gjykata e Lartë biznesmeni Kastriot Ismailaj, ish-administratorit të DIA, kompanisë që u kontraktua për borxhet e pambledhura të CEZ. Në dosjen e SPAK figuron edhe intervista e gruas së Ismailajt, Vojsava, dhënë për gazetarin Fatos Mahmutaj, e cila pranon se bashkëshorti i saj i ka dhënë ryshfet Metës.
“Gjatë zhvillimit të intervistës, kemi pasur rreth 3 ndërprerje të regjistrimit për shkak se Vojsava emocionohej dhe dilte nga vetvetja duke akuzuar Ilir Metën. Për shembull një detaj që nuk është në intervistën bruto të publikuar, ajo më ka thënë: “…Ilir Meta kishte fushatën elektorale. Dhe erdhi te Kastrioti dhe i kërkoi 300,000 (treqind mijë) Euro. Kastrioti ia dha. Ai me paturpësinë e tij dhe pangopësinë erdhi dhe kërkoi prapë para. Kastrioti nuk i dha. I tha që nuk kam më para. Dhe kuotën time te partia e kam paguar. Ai këmbëngulte duke bërë presion. Tani që Kastrioti është në burg, ai vazhdon të kërkojë para me forma presioni. Unë nuk kam para për të paguar këto shantazhe të Ilir Metës ndaj zgjodha që të ikja për sigurinë e djalit tim”, thuhet në dëshminë e regjistruar në dosje.